FOTOT/ Bashkia dhjetëra organizime për finalen, qindra tifozë të Romës dhe Feynoord shijojnë Tiranën

24/05/2022 16:09

Qindra tifozë holandezë të Feyenoordit dhe italianë të Romës kanë mbërritur tashmë në Tiranë, teksa presin orët deri në finalen e madhe që do të zhvillohet nesër në “Air Albania”.

Disa prej tyre mbërritën sot në kryeqytet, e disa të tjerë erdhën pak ditë më parë, duke e shfrytëzuar vizitën e tyre edhe për të eksploruar vendet turistike rreth Tiranës.

Përgatitjet perfekte dhe plani i organizuar nga ana e Bashkisë së Tiranës ka bërë që shumë prej tyre ta kalojnë këtë pasdite në sheshin “Skënderbej” dhe në pedonalen e Tiranës. Sikurse dje, organizimet festime me muzikë live dhe DJ nga më të njohurit do të vijojnë edhe sot në mbrëmje dhe nesër duke e kthyer finalen në një festë për gjithë qytetin.

Jo vetëm hotelet kanë zënë të gjithë dhomat e tyre, por dhe ato që quhen “guest house” tashmë janë plot, ndërkohë që bizneset janë në kulmin e punës së tyre.

Ndërkaq, në pikat kryesore ku do të grumbullohen tifozë, Bashkia dhe vullnetarët e saj ndihmojnë turistët.

Roma dhe Feyenoord do të përballen nesër në orën 21:00 në “Air Albania”, duke e kthyer këtë ndeshje në një moment historik për historinë e futbollit shqiptar, pasi për herë të parë në vendin tonë luhet një finale europiane.

FOTO GALERI
1/22

Top Channel