Rindërtimi në Durrës, banorët e një pallati kërkojnë nga bashkia ndërhyjë sa më shpejt

23/05/2022 15:16

Vonesat dhe mungesa e informacionit në lidhje me procesin e rindërtimit mbetet një shqetësim i vazhdueshëm për shumë banorë të Durrësit, banesat e të cilëve janë dëmtuar nga tërmeti i 26 nëntorit.

Banorë të një pallati 12-katësh, në lagjen nr.5 të qytetit kanë protestuar para bashkisë, këtë fillimjave me shpresën e një takimi me drejtues të pushtetit vendor.  Dy vite e gjysëm pas tërmetit, në pallatin ku banojnë 43 familje ende nuk është ndërhyrë ende, ndërsa banorët janë të paqartë për fatin e tij, për shkak të informacioneve kontradiktore që sigurojnë, teksa pohojnë se që në ndërtim, para tërmetit pallati i tyre ka pasur probleme.

“Asnjë lloj përgjigjeje s’kemi. Më jep një përgjigje që ta dimë se kur do të fillojë, kurdo që të fillojë.”-tha një qytetar.

“Nga bashkia kërkojmë që të bien inxhinierët më të aftë dhe të zbatojnë vendimin e Institutit të Ndërtimit që të riforcohet pallati.”- tha një qytetar.

“Pallati s’ka pësuar asnjë dëm përveç inklinimit që e ka pasur me kohë.”- tha një qytetar.

 

 

I përcaktuar fillimisht në nivelin e dëmit DS3, familjet e këtij pallati kanë përfituar grantin prej 500 mijë lekësh për riparimin e apartamenteve të tyre. Të paqartë për natyrën e ndërhyrjes në strukturën e pallatit ata kërkojnë një rivlerësim të ri teknik të objektit dhe informacion mbi kohën kur do të nisë rinkonstruksioni në ambjentet e përbashkëta të pallatit që ndër vite ka pësuar dhe anim (inklinim) deri në 25 cm.

 

Lagjja 5 e qytetit është një nga lagjet më të dëmtuara dhe shumë objekte banimi janë në pritje të shembjes ose riforcimit nga ana e firmave të kontraktuara nga bashkia e Durrësit.

Top Channel