Gjatë pesë muajve të fundit, kryeministri britanik Boris Johnson dhe qeveria kanë pasur mbi kokë shpatën e “Partygate”, ku ai dhe zyrtarë të lartë, në ambientet e selisë së qeverise në Dawning Street, Nr 10, janë fotografuar duke pirë apo festuar, kur britanikët e thjeshtë po nga kjo qeveri çdo mbrëmje u kërkohej të mos dilnin nga shtëpitë gjatë Covid-it, apo të tjerë nuk shkonin dot as në funeralet e të afërmve të tyre, madje edhe Mbretëresha ishte e vetme në funeralin e burrit të saj, Princit të ndjerë Filip.

Hetimi i Policisë Metropolitane konkludoi në 126 gjoba për 83 zyrtarë, politikanë dhe këshilltarë të qeverisë. Por kryeministri Johnson nuk mori më gjoba për mbrëmjen për ditëlindjen e tij më 19 qershor. Boris Johnson ka një shumicë dërmuese në parlament dhe shumë nga deputetët e tij duket se nuk kanë më atë vendosmëri që kishin përpara fillimit të luftës në Ukrainë për të kërkuar votëbesim ndaj Kryeministrit në parlament, ku Boris Johnson është shumë vokal dhe proaktiv në skenën politike botërore në mbështetjen e Britanisë ndaj Ukrainës dhe sanksionet kundër Rusisë. Argumenti politikë është se nuk mund të ndërrohet komandanti në mes të luftës.

Dhe ky moment politik ndërkombëtar duket se është arsyeja kryesore e fatit politik të Boris Johnson. Një jave është një kohë e gjatë në politikë. E kur zgjedhjet e ardhshme  të përgjithshme janë larg, gjasat janë se ky episod dërrmues për kryeministrin Johnson, do të harrohet dhe venitet, edhe pse momentalisht dhimbja dhe zemërimi është jo i vogël  në radhët e publikut britanik për papërgjegjshmërinë e sjelljeve të kreut të qeverisë dhe rrethit të tij të ngushte politik.

Boris Johnson nga ky skandal padyshim është plagosur rëndë politikisht, por është jashtë rrezikut për jetën dhe mbijetesën e tij politike, duke e shndërruar atë në një nga shumë politikanët perëndimorë të lindur me këmishë në këto kohë të turbullta politike.

 

 

 

 

Top Channel