Kompania ruse Gazprom e nisi ofensivën e gazit ndaj Finlandës, duke i mbyllur rubinetat vendit nordik, vetëm pak ditë pas aplikimit të tij për anëtarësim në NATO.

Gazprom vazhdon t`u kërkojë shteteve europiane të paguajnë gazin rus në rubla për shkak të sanksioneve të pashembullta të Perëndimit ndaj Moskës, si pasojë e sulmit të paprovokuar ndaj Ukrainës, por Helsniki ka refuzuar ta bëjë një gjë të tillë.

“Importet e gazit përmes pikës hyrëse Imatra kanë ndaluar”, njoftuan autoritetet finlandeze, dukeiu referuar pikës hyrëse të gazit rus në vend.

Gazprom konfirmoi se i ka ndalur “plotësisht dërgesat e gazit” , me argumentin se deri mbrëmjen e 20 majit, nuk kishte marrë pagesa në rubla.

Kompania shtetërore finlandeze, Gasum njoftoi se do të përpiqet të sigurojë gaz natyror në rrugë të tjerë. Gasum, Qeveria finlandeze dhe kompani tjera të gazit në Finlandë, pretendojnë se ishin të përgatitura për një bllokim të tillë dhe thonë se do t`ia dalin mbanë edhe pa gazin rus.

Kërkesa e vendit për anëtarësim në NATO, shihet si përpjekje e tij për të rritur sigurinë mes frikës që ka ngjallur agresioni rus në Ukrainë.

Top Channel