Shuhet kompozitori grek/ Vangelis Papathanasiou kompozoi muzikën për një numër filmash të njohur

20/05/2022 20:00

Reagime të shumta kanë ardhur nga qarqet politike dhe kulturore në Greqi pas lajmit tronditës së vdekjes së kompozitorit të madh Vangelis Papathanasiou i cili është ndarë nga jeta në moshën 79-vjeçare.

I njohur edhe si gjiganti i muzikës elektronike, progresive, ambientit, xhazit dhe asaj orkestrale , muzikanti me famë botërore  ishte shtruar në një spital në Francë me koronavirus.

Në një postim në Twitter, kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis e ka quajtur ” pionier i tingullit elektronik” që ashtu siç ka emrin e dytë, Odiseas, filloi udhëtimin e tij të gjatë me “Rrugët e Zjarrit” një prej kryeveprave të tij që i ka dhënë çmimin Oskar, historia e triumfit të një grupi vrapuesish britanikë në Lojërat Olimpike të vitit 1924.

Sipas ministres greke të Kulturës ai  ishte një ekumenist dhe mjeshtëria e frymëzimi i stuhishëm i tij në krijimin e tingujve, krejtësisht origjinalë, krijoi një audiencë globale. Kompozimet e tij lidhen me ritmet tradicionale greke,  me dridhjet e muzikës elektronike dhe u dëgjuan në të gjithë botën duke prekur njerëz me prejardhje, kombësi, kultura të ndryshme.

Sipas specialistëve Evangelos Odysseas Papathanasiou, që në moshë të re zhvilloi një interes të hershëm për muzikën dhe eksperimentet me tingujt e prodhuar nga përplasja e tenxhereve dhe tiganëve ose fiksimi i thonjve, gotave dhe objekteve të tjera në telat e pianos së prindërve të tij.

Ai përvetësoi tonet e këngëve popullore greke , muzikës korale të krishterë ortodokse, dhe mungesa e trajnimit formal muzikor, thuhet se e  ndihmoi  në ruajtjen e ndjenjës së tij të krijimtarisë.

Ka kompozuar muzikën për një numër filmash të mëdhenj, duke përfshirë “Të zhdukur”, me regji të bashkatdhetarit të tij Costa-Gavras , thrillerin futuristik të Ridley Scott “Blade Runner”, 1492 – Pushtimi i Parajsës, El Greko, Aleksandros etj.

 

Ashtu siç shkroi veprën e tij aq të njohur “Mitet” , ai konsiderohet një mit dhe me të drejtë si  “Greku më ndërkombëtar i shekullit 21”.

Top Channel