Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj ka vlerësuar bashkëpunimin me Fondacionin Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim, me të cilin Tirana ka përfunduar projektin e suksesshëm për rinovimin e Pazarit të Ri, e aktualisht po punon për kthimin e Piramidës në qendrën më të madhe të teknologjisë së informacionit për të rinjtë.

Veliaj i cilëson të turpshme sulmet dhe akuzat ndaj partnerëve 20-vjeçarë të Shqipërisë.

“Besimi është shumë i rëndësishëm që një shoqëri të funksionojë. Fatkeqësisht, sot më duhet të kërkoj ndjesë, jo për një faj timin, por si kryetar i Bashkisë së Tiranës, për atë minorancë të zhurmshme e cila në javët e fundit është investuar ta minojë këtë besim. Shumë prej tyre – jo se nuk dinë apo kanë harruar, por se nuk duan ta kujtojnë që – po të mos ishte për Fondacionin Shqiptaro-Amerikan, nuk do të kishin sot një pasaportë shqiptare.  Sot, shumë prej atyre që mësojnë si të kodojnë, e bëjnë këtë te “Tumo”, që bashkëfinancohet nga Fondi. Treqind biznese te Pazari i Ri, sot tregtojnë në kushte shumë më të mira falë Fondit. Ndaj, është e turpshme që, pas 20 viteve a më shumë kontribut, ne diskutojmë sulme të tilla”.

Ai tha se për gjërat që janë me interes kombëtar duhet bërë një pakt kombëtar.

“Këto janë marrëzi! Jemi në vitin 2022! Nuk mund t’i bëjmë gjëra të tilla. Ndaj, jo vetëm ndihem i turpëruar sot dhe kërkoj ndjesë për atë minorancë të zhurmshme – të cilën e mirëkuptoj kur politizohet me kryetarin e Bashkisë në debatin për Sheshin, për Liqenin, “kullat” te Sami Frashëri etj., e çudira shqiptare për të cilat ne na është ‘bërë lëkura shollë’, – por, kjo nuk është normale! Ne duhet të bëjmë një pakt kombëtar që, për gjëra që kanë një interes kombëtar, për ata që bëjnë investime filantropike si Fondi, duhet të kërkojmë kush është AADF-ja tjetër, që të bëhen 2 e 3, 13, 33, jo të përzëmë ata që kemi. Kjo nuk na nderon! Pavarësisht bindjeve që kemi, na duhet një pakt kombëtar. Ne nuk i themi dot suksesit plaç. Ne nuk bëjmë dot teori konspiracioni për çdo të lajthitur që fantazon. Duhet besim”.

Kryetari i bordit të Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim, Michael Granoff  sëbashku me kryeministrin Rama dhe Veliajn inspektuan vijimin e punimeve për transformimin e Piramidës në zemër të Tiranës në qendrën më të madhe të teknologjisë digjitale të Ballkanit, ku në pjesë të caktuara të projektit, punimet janë drejt fundit.

 

Top Channel