“Inteligjenca Artificiale për të rinjtë”/ Ministria e Arsimit nënshkruan marrëveshjen me Fondacionin Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim

18/05/2022 14:14

Ministria e Arsimit dhe Sportit dhe Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF) kanë nënshkruar një marrëveshje për zbatimin e projektit “Inteligjenca Artificiale për të rinjtë”

Programi i Inteligjencës Artificiale i cili po zbatohet në më shumë se 11 vende në mbarë botën, do të nisë pilotimin edhe në Shqipëri, me synimin që të përfshihet në të gjitha shkollat e mesme.

Ky projekt ka për qëllim të rrisë aftësitë që lidhen me teknologjinë dhe inteligjencën artificiale tek nxënësit shqiptarë, të moshës nga 13 deri 19 vjeç.

Në fjalën e saj Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi shprehu mirënjohjen për Fondacionin Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim për bashkëpunimin e ngushtë dhe kontributin e rëndësishëm që jep në fushën e arsimit në Shqipëri.

Kryetari i Bordit të Drejtorëve të AADF, z. Michael Granoff u shpreh se nëpërmjet këtij programi do t’u jepet mundësia të rinjve shqiptar për të mësuar teknologjinë e Inteligjencës Artificiale përmes një kurrikule të ndërtuar nga Intel Corporation, e cila është një ndër kompanitë më të mëdha të teknologjisë në botë.

Pilotimi i programit do të fillojë në vitin shkollor 2022-2023 në pesë institucione publike, ku do të krijohen grupe që do të zhvillojnë orët për Inteligjencën Artificiale, pas orarit mësimor, si veprimtari jashtëshkollore pranë institucionit arsimor të përzgjedhur. Gjithashtu do të ketë dhe dy grupe private jashtë shkollave.

Gjatë kësaj faze pilotimi nga kurrikula e projektit parashikohet të përfitojnë 140 nxënës, ndërkohë që do të realizojë mbi 160 orë trajnimi për mësuesit dhe certifikimin e tyre.

Në grupet jashtëshkollore private do të zhvillohet një kurrikul më e avancuar, ku nxënësit do të kenë mundësi të trajnohen në një afat 6 deri në 8 muaj, ndërkohë që në institucionet publike projekti do të zhvillohet në një kohë prej 1 deri në 2 vjet.

FOTO GALERI
4/5

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA