Derisa në Portin e Durrësit të përfundojë shkarkimi i ngarkesës së qymyrit të ardhur me anijen Unistream nga Kolumbia, brenda së cilës policia gjeti 59 kg kokainë, policia ka zgjedhur të heshtë.  Edhe pse mbetet ende mister emir i porositësit si të ngarkesës dhe destinacioni i saj final.

Burime të sigurta i thanë “Top Channel” se qymyri është porositur nga një distributor që do ta shpërndante qymyrin më pas në furra gëlqeresh e pika të tjera inertesh që e përdorin si lëndë djegëse. Deri në këto moment nga kjo kompani e cila është e përfshirë edhe në aktivitetin e kromit nuk ka asnjë të shoqëruar. Ndërsa ekuipazhi I anijes pasi u intervistua nga policia u rikthye në anije duke asistuar policinë në zbrazjen e gjithë hambareve me qymyr.

E paqartë për policinë është pse porositësit e ngarkesës nuk u paraqitën në port. Anija mbërriti në orën 10.40 të të hënës ndërsa ndërhyrja e policisë ndodhi rreth 12 orë më vonë.

Policia ka pasur informacion se anija që ishte nisur nga Kolumbia më 26 prill përveç qymyrit do të sillte edhe drogë prandaj një njësi operacionale ka qenë në pritje të anijes për 3 me radhë me besimin se do kapnin me flagrance trafikantet ,por  ne port nuk u paraqit askush. Ky moment sipas policisë do te sqarohet ne vazhdim nëse ka pasur apo jo dekonspirim të operacionit.

Kryesisht të gjithë ngarkesat që vijnë nga Amerika qendrore dhe ajo latine qoftë me kontenier ashtu edhe me anije quhen me risk të lartë nga ana e policisë prandaj ato kalojnë në një filtër më të detajuar qoftë nga autoritetet e portit ashtu edhe nga policia kufitare dhe ajo kriminale.

Nisur nga fakti që në portin e Durrësit se paku dy vitet e fundit janë zbuluar dergesa me kokainë nga vendet e origjinës Kolumbi dhe Ekuador, autoritetet janë të bindura se Porti i Durrësit është kthyer në një rrugë kalimi që përdoret nga narkotrafikantët. Ndaj dhe operacionet në bashkëpunim me ndërkombëtarët janë bërë më prezente ashtu sikundër edhe kontrollet e ngarkesave  që klasifikohen me risk të lartë.

Top Channel