Përveç ushtrisë së zhytur në një konflikt të ashpër në lindje të Ukrainës, Rusia ka shënuar humbje edhe në aspektin diplomatik përgjatë fundjavës, pasi dy shtete evropiane kanë shprehur zëshëm synimet për anëtarësim në NATO.

Finlanda ka bërë të ditur të dielën se mëton t’i bashkohet aleancës, duke thënë se pushtimi i Rusisë në Ukrainë – rreth tre muaj më parë – ka ndryshuar situatën e sigurisë në Evropë.

Disa orë më vonë, partia qeverisëse në Suedi, ka mbështetur synimet e shtetit për anëtarësim në NATO, duke i hapur rrugën aplikimit brenda ditësh.

Këto vendime mund të peshojnë rëndë mbi presidentin rus, Vladimir Putin, i cili e ka konsideruar si të rrezikshëm zgjerimin e NATO-s, pas periudhës së Luftës së Ftohtë.

NATO-ja, në anën tjetër, deklaron se është vetëm aleancë për mbrojtje.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë se lufta “nuk është duke shkuar sipas planeve të Moskës”.

“Ukraina mund ta fitojë këtë luftë”, ka thënë ai pas takimit me diplomatë të lartë në Berlin.

Ai ka thënë po ashtu se aleanca duhet të vazhdojë mbështetjen ushtarake për Kievin.

Ndërkohë, Rusia ka shkaktuar dëme, por nuk ka arritur të shënojë përparim të madh territorial në lindje të Ukrainës.

Luftëtarët rusë dhe ata ukrainas janë duke luftuar fshat pas fshati në Donbas, rajon lindor i Ukrainës.

Ushtarët ukrainas kanë luftuar me separatistët e mbështetur nga Moska për tetë vjet në këtë rajon.

Përgjatë fundjavës, forcat ruse kanë sulmuar një fabrikë të lëndëve kimike në Siverodonetsk të Donbasit, ka thënë guvernatori rajonal, Serhii Haidaii.

Pasqyra ruse e fashizmit

Guvernatori i Lvivit ka thënë se raketat ruse kanë shkatërruar edhe “infrastrukturë ushtarake” në rajonin Javoriv, afër kufirit me Poloninë.

Perëndimi dërgon armë në Ukrainë përmes qytetit të Lvivit.

Ushtria ukrainase kanë thënë se i ka ndalur hovin ofensivës ruse në Donbas.

Forcat ukrainase kanë sulmuar pozicionet ruse dhe kanë shkatërruar dy ura të kontrolluara nga ato.

Ministria britanike e Mbrojtjes ka thënë në raportin e saj ditor se ushtria ruse ka humbur një të tretën e fuqisë luftarake në Ukrainë – në krahasim me atë që ka pasur kur ka nisur luftën – dhe se nuk ka shënuar fitore të mëdha territoriale.

“Në situatën aktuale, Rusia ka pak mundësi të bëjë përparim të madh në 30 ditët e ardhshme”, ka thënë ministria përmes një postimi në Twitter.

Në qytetin e Mariupolit, qindra trupa ukrainase vazhdojnë të refuzojnë dorëzimin dhe kanë mbetur të bllokuara në fabrikën e çelikut, Azovstal.

Kjo fabrikë është zona e vetme e kontrolluar nga ukrainasit në Mariupol.

Shumë gra të luftëtarëve të bllokuar i kanë bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar të sigurojë “lirimin e gjithë garnizonit”.

Në një konferencë online për media, gratë kanë thënë se trupat ushtarake kanë mbetur me pak bukë, ushqime dhe ilaçe.

Zëdhënësi i Qeverisë turke, Ibrahim Kalin, ka thënë se shteti i tij ka ofruar mundësinë e evakuimit të ushtarëve të plagosur ukrainas, përfshirë edhe largimin e tyre nga Azovstali, sipas transmetuesit shtetëror, TRT.

Pushtimi rus në Ukrainë ka rritur shqetësimet te disa shtete se mund të sulmohen sikurse Ukraina.

Finlanda ndan një kufi prej 1,340 kilometrash me Rusinë.

Putin i ka thënë presidentit finlandez, Sauli Niinisto, në një bisedë telefonike, se anëtarësimi në NATO është gjë e gabuar.

Suedia po ashtu pritet të aplikojë për anëtarësim.

Megjithatë, NATO funksionon me konsensus dhe anëtarësimi potencial i këtyre dy shteteve është vënë në dyshim për shkak të shqetësimeve të ngritura nga Turqia.

Ministri i jashtëm turk, Mevlut Cavusoglu, ka thënë se shqetësimet e Turqisë janë diskutuar në një takim brenda NATO-s, sidomos për shkak të dyshimeve se Suedia dhe Finlanda mbështesin grupet rebelet kurde, si dhe për shkak të kufizimeve në shitje të armëve në Turqi.

Gjatë një vizite të dielën në Suedi, lideri i republikanëve në Senatin amerikan, Mitch McConnell, ka thënë se Finlanda dhe Suedia do të ishin “prurje të rëndësishme” në NATO, dhe që SHBA-ja duhet të ratifikojë shpejt anëtarësimin e tyre./REL

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA