Kryeministrja suedeze: Ne nuk duam armë bërthamore në territorin tonë as baza të përhershme të NATO-s

16/05/2022 16:21

Kryeministrja suedeze Magdalena Andersson ka deklaruar gjatë një konference ditën e sotme se Evropa dhe Suedia po jetojnë tani në një realitet të ri dhe të rrezikshëm, por megjitahtë tha se Suedia nuk dëshiron baza të përhershme ushtarake të NATO-s apo armë bërthamore në territorin e saj nëse anëtarësimi i saj miratohet.

“Ne po largohemi nga një epokë dhe po fillojmë një tjetër,” tha kryeministrja suedeze Magdalena Andersson në një konferencë shtypi pasi njoftoi se vendi do të aplikojë për t’u bashkuar me NATO-n.

Është e rrallë të shohësh dy partitë më të mëdha të Suedisë të mbajnë një konferencë të përbashkët shtypi, dhe në një marrëveshje të tillë, veçanërisht vetëm disa muaj përpara zgjedhjeve të përgjithshme.

Por kryeministrja Magdalena Andersson dhe Ulf Kristersson, lideri i partisë më të madhe opozitare, donin qartë të dërgonin një mesazh se Suedia është e bashkuar kur bëhet fjalë për aplikimin e saj në NATO.

Andersson sugjeroi se ishte fundi i një epoke për vendin e saj dhe tha se ishte e bindur që publiku suedez e mbështeste vendimin e saj.

Kristersson argumentoi se nuk ishte një kohë për politikën e partisë, por nuk mundi të përmbajë entuziazmin e tij që një politikë që partia e tij ka nxitur për dy dekada më në fund po realizohet.

Konferenca e tyre për shtyp pasoi një debat të posaçëm tre-orësh në parlamentin suedez më herët të hënën.

 

 

Top Channel