India po përballet me një valë të jashtëzakonshme të nxehti, që e ka bërë termometrin në kryeqytetin Delhi të shënojë 49.2 gradë Celsius.

Zyrtarët madje paralajmërojnë se temperaturat mund të rriten akoma edhe më shumë, ndaj i kanë bërë thirrje banorëve të bëjnë kujdes e të marrin masa paraprake.

Kjo është e pesta valë të nxehti që përplaset mbi Indinë prej muajit mars. Vapa përvëluese mund të shkaktojë probleme shëndetësore për personat më të cenueshëm, përfshirë foshnjat, të moshuarit dhe njerëzit që vuajnë nga sëmundje kronike.

Më herët gjatë këtij muaji, kryeministri indian, Narendra Modi, u ka kërkuar ministrave të bëjnë plane për të zvogëluar ndikimin e të nxehtit të madh, pasi temperaturat janë rritur më shpejt se zakonisht.

Ndonëse temperaturat e larta janë të zakonshme në Indi, sidomos në maj dhe qershor, vera ka nisur më herët këtë vit, pasi vala e parë e të nxehtit është raportuar në muajin mars.

Temperatura mesatare për një muaj ka qenë më e larta në 122 vjet. Sipas Qendrës për Shkencën dhe Ambientin, valët e të nxehtit këtë vit kanë prekur 15 rajone, përfshirë Himaçal Pradesh, i cili njihet për temperaturat më të moderuara.

Top Channel