Me Finlandën dhe Suedinë që po ndërmarrin hapa për t’iu bashkuar NATO-s, teksa pushtimi rus i Ukrainës po vazhdon, lista e shteteve neutrale në Evropë duket se po tkurret.

Sikurse këto dy shtete nordike, shtete të tjera iu bashkuan Bashkimit Evropian për premtimin për unitet ekonomik dhe politik, pa pasur nevojë të mbahej anë në ndarjen Lindje Perëndim që ka zgjatur përtej përfundimit të Luftës së Ftohtë.

Por, shqetësimet e sigurisë mbi pushtimin rus të Ukrainës kanë ndryshuar llogaritë për Finlandën dhe Suedinë, që për një kohë të gjatë kanë mbështetur mospërfshirjen ushtarake dhe kanë bërë që edhe shtetet e tjera, që tradicionalisht janë neutrale të rimendojnë se çfarë nënkupton ky term për ta. Finlanda më 15 maj deklaroi se dëshiron t’i bashkohet NATO-s, teksa partia në pushtet në Suedi po të njëjtën ditë tha se e mbështet aplikimin për anëtarësim në këtë aleancë perëndimore, ndërkohë që mbështetja e publikut në dy këto shtete nordike është rritur për një gjë të tillë.
Shtetet e BE-së janë të përkushtuara që ta mbrojnë njëra-tjetrën në rast të një sulmi të jashtëm, një zotim që gjerësisht ka mbetur vetëm në letër, pasi fuqia e NATO-s lë në hije zotimet e bllokut për mbrojtje kolektive.

Megjithatë, Turqia mund të paraqesë pengesë për ambiciet e Finlandës dhe Suedisë për anëtarësim në NATO. Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, shteti i të cilit është në NATO, ka thënë se Qeveria e tij “nuk ka një mendim të favorshëm” sa i përket kësaj çështjeje sepse shtetet nordike mbështesin militantët kurdë dhe të tjerët që Turqia i konsideron terroristë.
“Kjo është gjë kyçe për neutralitetin: nënkupton gjëra të ndryshme për njerëz të ndryshëm”, tha historiani Samuel Kruizing nga Universiteti i Amsterdamit.

Në këtë tekst mund të lexoni më shumë detaje për disa shtete që kanë përfshirë neutralitetin në ligjet e tyre ose në përgjithësi e konsiderojnë veten neutrale në përballjen midis Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë dhe aleatëve respektivë. Austria, Irlanda, Qiproja dhe Malta janë anëtare të BE-së që nuk janë anëtarësuar në NATO dhe Zvicra nuk është pjesë e asnjërit prej këtyre dy institucioneve.

Zvicra
Ndoshta vendi më i njohur neutral në Evropë, Zvicra ka përfshirë neutralitetin brenda Kushtetutës së saj dhe votuesit zviceranë kanë vendosur dekada më parë që nuk do të bëhen pjesë e BE-së. Por, Qeveria e këtij shteti ka pasur vështirësi javëve të fundit që të shpjegojë konceptin e neutralitetit pasi u rreshtua pas sanksioneve të BE-së kundër Rusisë, dhe neutraliteti i Zvicrës është analizuar nga mediat lokale pothuajse çdo ditë në këto javët e fundit.

Ka pak të ngjarë që Zvicra të largohet më tej nga neutraliteti i saj: Qeveria e saj veçse ka kërkuar nga Gjermania që të mos dërgojë pajisjet ushtarake zvicerane në Ukrainë.
Partia populiste e krahut të djathtë, që ka grupin më të madh parlamentar në Parlamentin e Zvicrës, ka qenë hezituese për ndërmarrjen e masave të mëtejme kundër Rusisë, dhe zviceranët e mbrojnë ashpër rolin e tyre si ndërmjetës për shtetet rivale dhe si qendër e veprimit humanitare dhe për të drejtat e njeriut. Neutraliteti i ka ndihmuar këtij shteti në ndërtimin e këtij reputacioni.

Austria

Neutraliteti i Austrisë është komponent kyç në demokracinë moderne të këtij shteti: Si kusht i shteteve aleate që largoheshin nga shteti dhe aftësisë së saj për të rifituar pavarësinë më 1955, Austria e ka shpallur veten ushtarakisht neutrale.
Që prej fillimit të luftës së Rusisë në Ukrainë, kancelari austriak, Karl Nehammer, ka arritur të mbajë një balancë të mirë sa i përket pozicionit të Austrisë. Ai ka thënë se shteti nuk ka plane që ta ndryshojë statusin e sigurisë, teksa në të njëjtën kohë ka deklaruar se neutraliteti ushtarak jodetyrimisht nënkupton neutralitet moral, duke thënë se Austria dënon fuqishëm veprimet e Rusisë në Ukrainë.

Irlanda
Neutraliteti i Irlandës për një kohë të gjatë ka qenë pak si një zonë gri. Kryeministri Micheal Martin, më herët gjatë këtij viti e ka përshkruar kështu pozicionin e shtetit të tij: “Ne nuk jemi politikisht neutral, ne jemi ushtarakisht neutral”.
Lufta në Ukrainë ka rihapur debatin lidhur se atë se çfarë nënkupton neutraliteti i Irlandës. Irlanda ka vendosur sanksione ndaj Rusisë dhe ka dërguar ndihmë jovdekjeprurëse në Ukrainë në përgjigje të pushtimit.

Irlanda ka marrë pjesë në grupet luftarake të BE-së, që janë pjesë e përpjekjeve të bllokut për të harmonizuar ushtrinë e tij.
Kruizinga, që ka kontribuar për punën e realizuar nga Kembrixhi për neutralitetin në Luftën e Parë Botërore, sugjeroi se sa më shumë që anëtarësimi në BE dhe NATO të jenë të ngjashme, aq më mirë është për bllokun që të “portretizojë veten si një fuqi gjeopolitike”.

Malta
Kushtetuta e Maltës thotë se ky ishull i vogël në Mesdhe zyrtarisht është neutral, duke u mbështetur në një politikë “të mospërfshirjes dhe refuzimit për të marrë pjesë në çdo aleancë ushtarake”. Një sondazh i porositur nga Ministria e Jashtme u publikua dy javë para pushtimit të Rusisë dhe gjeti se shumica e të anketuarve mbështesnin neutralitetin dhe vetëm 6 për qind ishin kundër.
Gazeta The Times of Malta raportoi më 11 maj se presidenti i Irlandës, Michael Higgins, gjatë një vizite zyrtare theksoi idenë e neutralitetit “pozitiv” dhe iu bashkua presidentit maltez, George Vella, në dënimin e luftës në Ukrainë.

Qiproja
Raporti i Qipros me Shtetet e Bashkuara është rritur në mënyrë të konsiderueshme në dekadën e fundit, por çdo ide për anëtarësim në NATO mbetet jashtë diskutimeve, të paktën tani.
Presidenti i Qipros tha më 14 maj se “është shumë herët” për të menduar për një lëvizje të tillë, e cila do të pritej me kundërshtim të fuqishëm nga Turqia.

Shumë qipriotë – veçmas ata që janë të majtë politikisht – vazhdojnë të fajësojnë NATO-n për ndarjen de fakto të ishullit, pasi forcat turke e pushtuan në mesin e viteve ’70. Atëbotë, Turqia ishte anëtare e NATO-s dhe aleanca nuk bëri asgjë për të ndaluar veprimin ushtarak.

Anëtarja besnike e NATO-s, Britania, ka dy baza ushtarake sovrane në Qipro, të cilat shërbejnë si një vend i rëndësishëm për mbikëqyrjen e bregut lindor në bashkëpunim me personelin amerikan. Qiproja gjithashtu dëshiron që të mbajë neutralitetin dhe ka lejuar luftanijet ruse që të furnizohen në portet e saj, edhe pse një aktivitet i tillë u pezullua pas nisjes së luftës në Ukrainë./rel

Top Channel