Një 18-vjeçar, i veshur me rroba ushtarake hapi zjarr me një pushkë në një dyqan ushqimor në Bufalo, duke vrarë dhjetë persona dhe duke plagosur tre të tjerë të shtunën.
Autoritetet amerikane e përshkruan rastin si “ekstremizëm të dhunshëm me motive racore”.
Policia tha se personi i armatosur qëlloi 11 persona me ngjyrë dhe dy persona të bardhë para se të dorëzohej para autoriteteve. Ai kishte transmetuar drejtpërdrejt të gjithë ngjarjen në platformën Twitch.
Më vonë, ai doli para një gjykatësi nën akuza për vrasje.
“Vërtetë shpresoj që ky individ, ky supermacist i bardhë që sapo kreu krim të urrejtjes mbi një komunitet të pafajshëm, të kalojë pjesën tjetër të jetës prapa hekurave”, tha guvernatorja e Nju Jorkut, Kathy Hochul, teksa foli pranë vendit të ngjarjes.
Kjo ngjarje shkaktoi zemërim në shtetin që përballet me tensione racore, me dhunë të armëve dhe me një valë krimesh të urrejtjes. Një ditë para të shtënave, policia në Dallas tha se po hetonte një seri të shtënash në një pjesë të banuar nga aziatikët nën dyshime për krime të urrejtjes. Po ashtu, sulmi në Bufalo vjen një muaj pas të shtënave masive në një metro në Bruklin, ku u plagosën dhjetë persona.
Sulmuesi i dyshuar në Bufalo u identifikua si Payton Gendron nga Konklin, Nju Jork, që gjendet afër 320 kilometra në juglindje të Bufalos.
Ende nuk është e qartë pse Payton udhëtoi për në Bufalo dhe pikërisht zgjodhi dyqanin ku kreu sulmin. Ndërkaq, një video e postuar në llogarinë e tij në Twitch, shfaq atë duke arritur me veturën e tij në këtë dyqan ushqimor.
Sulmuesi qëlloi katër persona jashtë dyqanit, tre prej të cilëve vdiqën, tha komandanti policor, Joseph Gramaglia. Ndërkaq, brenda dyqanit, roja e sigurisë, Aaron Salter, një polic në person, qëlloi ashtu me armë drejt sulmuesit. Ai arriti të godasë atë, por sulmuesi kishte të veshur anti-plumb, tha Gramaglia.
Sulmuesi më pas vrau rojen, tha policia, lëvizi përmes dyqanit, duke qëlluar viktima të tjera.
Policia hyri në dyqan dhe u përball me sulmuesin. Sulmuesi vendosi armën e tij pranë qafës, por policia arriti që ta bindë që ta dorëzojë armën, tha Gramaglia.
“Ky është makthi më i keq që çdo komunitet mund të përballet”, tha kryetari i Bufalos, Byron Brown gjatë një konference për shtyp.
Platforma Twitch tha përmes një deklarate se sulmuesi kishte transmetuar në këtë platformë “më pak se dy minuta pasi nisi dhuna”.
Zyrtarët policorë thanë për Associated Press se hetuesit janë duke shikuar nëse sulmuesi ka publikuar ndonjë manifest online.
Presidenti amerikan, Joe Biden, përmes një deklarate tha se ai dhe Zonja e Parë po luten për viktimat dhe familjet e tyre.
“Ne ende po mësojmë më shumë informacione lidhur me motivet e të shtënave sot, teksa autoritetet po bëjnë punën e tyre, por ne nuk na duhet asgjë për të qenë të qartë: Një krim i motivuar në aspektin racor është i neveritshëm për vetë strukturën e këtij kombi”, tha ai.
“Çdo akt i terrorizmit të brendshëm, përfshirë edhe akte të kryera në emër të një ideologjie të neveritshme të nacionalizmit të bardhë, është në kundërshtim me gjithçka që ne qëndrojmë në Amerikë”, tha presidenti Biden.
Dyqani ku ndodhi sulmi, Tops Firendly Markets, tha përmes një deklarate se “ne jemi të shokuar dhe thellësisht të pikëlluar me këtë veprim të pakuptimtë të dhunës dhe lutjet dhe mendimet tona janë me viktimat dhe familjet e tyre”./REL
Top Channel