Nga temperaturat 40 gradë te stuhitë e forta, moti ekstrem kërcënon festimet e 250-vjetorit të Pavarësisë së SHBA-së

04/07/2026 22:42

Festimet për 250-vjetorin e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara po përballen me sfida të mëdha për shkak të kushteve ekstreme të motit.

Pas një dite me temperatura përvëluese, autoritetet kanë paralajmëruar tani edhe për stuhi të forta që mund të ndikojnë në aktivitetet kryesore të mbrëmjes.

Në Uashington, termometri ka shënuar rreth 38 gradë Celsius, ndërsa temperatura e ndjerë ka arritur në 40 gradë, duke detyruar organizatorët të marrin masa për mbrojtjen e qytetarëve.

Situata është komplikuar më tej pasi Shërbimi Kombëtar i Motit ka lëshuar një paralajmërim për stuhi të forta, të shoqëruara me rrufe të shpeshta. Paralajmërimi mbetet në fuqi deri në orën 22:00 me orën lokale.

Pavarësisht kushteve atmosferike, Presidenti Donald Trump pritet të mbajë fjalimin e tij gjatë ceremonisë së përvjetorit në mbrëmje, ndërsa më pas është planifikuar edhe shfaqja tradicionale e fishekzjarrëve, e cila mund të ndikohet nga zhvillimet e motit.

Ndërkohë, disa qytete në zonën e kryeqytetit amerikan kanë ndryshuar programin e festimeve.

Në Annapolis janë anuluar parada e Ditës së Pavarësisë dhe koncerti i planifikuar, ndërsa autoritetet kanë bërë të ditur se shfaqja me fishekzjarrë do të zhvillohet vetëm nëse kushtet e motit e lejojnë, duke mos përjashtuar edhe një shtyrje të saj.

Top Channel