Inteligjenca britanike pohon se ofensiva e forcave ruse në rajonin e Donbasit, në lindje të Ukrainës e ka humbur hovin dhe është shumë prapa planit të parashikuar të Moskës.

Bilanci që bën Ministria britanike e mbrojtjes është i rëndë: sipas saj, Rusia deri më tani ka humbur një të tretën e forcave luftarake tokësore që dërgoi në shkurt në Ukrainë.

Pasi dështoi të merrte kontrollin e Kievit, Moska vendosi ta përqendronte ofensivën e saj  në Donbasin e përbërë nga dy rajone: Donjeck dhe Luhansk, por duket se as atje nuk po fiton.

Britania thotë se pavarësisht disa përparimeve fillestare në shkallë të vogël, forcat ruse nuk kanë arritur të marrin territore të konsiderueshme në këtë zonë, ndërsa janë pllakosur nga një rënie e moralit dhe efektiviteti i reduktuar luftarak. Këto, sipas britanikëve, nuk janë gjëra që mund të rikeuperohen shpejt, dhe gjasat janë që ato të vazhdojnë t`i pengojnë operacionet ruse në Ukrainë.

Një nga zv/sekretarët e NATO-s, Mircea Geoana pohoi se mes pjesëmarrësve të samitit të aleancës në Berlin pati një klimë konstruktive debati lidhur me Finlandën e Suedinë, e situatën në Ukrainë. Ai u shpreh i bindur se tashmë, Kievi mund ta fitojë këtë luftë.

Një autokolonë me qindra civilë të evakuar nga Mariupoli ka arritur të hyjë pas tre ditë pritjeje në Zaporizhia. Turqia nga ana tjetër është shprehur e gatshme të dërgojë një anije në qytetin port për të lejuar evakuimin e ushtarëve të plagosur ukrainas dhe civilë të tjerë që ndodhen në fabrikën e çelikut, Azovstal.

Anëtari i këshillit bashkiak të qytetit, Petro Andryushchenko, shkroi në rrjetet sociale se rusët kanë lëshuar bomba me fosfor kundër Azovstalit, ku ndodhen mbrojtësit e fundit të Mariupolit.

Komandanti i marinsave ukrainas të bllokuar atje i dërgoi një mesazh Elon Musk duke i kërkuar t`i ndihmojë të dalin nga kompleksi i rrethuar.

Top Channel