Aramco, fitime të çmendura nga kriza/ 82% më shumë të ardhura nga nafta!

15/05/2022 13:30

Kompania saudite e naftës, Aramco raportoi fitimet e saj më të larta që nga listimi i vitit 2019 pasi çmimet e naftës dhe gazit pësuan rritje në mbarë botën.

Gjiganti shtetëror i energjisë thotë se ka pasur një rritje te fitimeve në masën 82%, me të ardhurat neto që kapërcyen 39.5 miliardë dollarë në tremujorin e parë.

Në një deklaratë për shtyp, firma sqaroi se çmimet e larta te energjisë, por edhe një rritje e prodhimit ndikuan në këtw nivel të jashtëzakonshëm fitimesh. Pushtimi i Ukrainës ndikoi në rritjen e kuotimit të naftës dhe gazit në mbarë botën.

Rusia është një nga eksportuesit më të mëdhenj në botë, por vendet perëndimore janë zotuar tani ta reduktojnë varësinë e tyre për energji prej saj. Çmimi i naftës kishte filluar megjithatë të rritej që përpara luftës, pasi ekonomitë kishin filluar të rimëkëmbeshin nga pandemia e Covid 19 dhe kërkesa tejkaloi ofertën.

Firma të tjera energjetike, duke përfshirë Shell, BP dhe TotalEnergies, kanë raportuar gjithashtu fitime të larta si rezultat, megjithëse shumë prej tyre po përballen edhe me kostot e mbylljes së operacioneve të veta në Rusi.

Shefi ekzekutiv i Aramco, Amin Nasser, u shpreh se kompania ishte “e fokusuar në ndihmën për të përmbushur kërkesën botërore për energji që është e besueshme, e përballueshme dhe gjithnjë e më e qëndrueshme”.

“Siguria energjetike është jetike dhe ne po investojmë në të për një periudhë afatgjatë,” shtoi ai.

 

 

 

Top Channel