Banorët në Durrës të pakënaqur me procesin e rindërtimit pas tërmetit: Ka një muaj që janë ndërprerë punimet dhe s’dimë çfarë po ndodh

14/05/2022 11:49

Rindërtimi pas tërmetit vijon jo pa shqetësime për banorët e Durrësit, pallatet e të cilëve janë në proces. Të shtunën banorë të një pallati të dëmtuar nga tërmeti kanë protestuar sërish para bashkisë së Durrësit duke kërkuar  ndërhyrjen e saj.

Prej një muaji kompania që do të kryejë riforcimin e pallatit të tyre ka ndërprerë  punimet, pas reagimeve të banorëve për punime që nuk mbulojnë morinë e dëmeve që ka pësuar pallati.

”Ka një muaj që janë ndërprerë punimet dhe s’dimë çfarë po ndodh. Ka filluar me 3 mars dhe u ndërprenë punimet. I bëjmë thirrje bashkisë dhe Edi Ramës të fillojnë punimet e t’i mbarojnë. Burimi te çezma e Ferrës e dinë të gjithë ku është dhe pallati flen sipër ujit. Struktura nuk i përgjigjet kërkesave sizmike dhe hekurat janë të oksiduara fare. Një projekt i paplotë dhe kërkesat në bashki nuk kanë marrë asnjë përgjigje ”– thanë banorët.

Një tjetër problem jo vetëm për këtë objekt, po dhe për shumë pallate të ndërtuara para 1990-s në Durrës mbeten katet e fundit dhe dëmtimi i taracave nga tërmeti dhe pesha e depozitave shumëtonëshe.

”Jam kati V dhe këta thonë që do të punojnë vetëm poshtë. Hyrja ime dhe jo vetëm ajo, po të gjitha katet e para janë të ccara në tavan. Nuk bën më ajo taracë. Është e kotë të rregullohet poshtë dhe lart jo. Ne s’do të lejmë askënd të vërë depozitat lart në këtë gjendje.”- tha një tjetër banor.

Banorët shprehet se nëse nuk do të marrin një zgjidhje nga bashkia do t’i drejtohen SPAK  si e vetmja shpresë për ta.

 

 

Top Channel