Grupi parlamentar më i madh opozitar në Gjermani, CDU/CSU, ka kërkuar nga qeveria  gjermane mbështetje aktive për anëtarësimin e Kosovës në KE.

Në një deklaratë për media, të enjten, 12,05. në mbrëmje, deputeti i CDU-së, Michael Brand, shkruan se “Kërkesa e Republikës së Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës është një hap logjik”. Brand  vlerëson se “Kosova në të kaluarën e afërt ka bërë progres të madh në aspektin e sundimit të ligjit dhe luftës kundër korrupsionit dhe krimit.”

Brand, i cili është Kryetari i Grupit të Punës për të Drejtat e Njeriut dhe ndihmën humanitare të grupit parlamentar CDU/CSU, ka thënë më tej:

“Asnjë vend tjetër evropian nuk i referohet kaq qartë në Kushtetutë Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut. Juridiksioni i saj që tashmë njihet si i detyrueshëm për Kosovën”.

Brand shkruan më tej se Kosova është  “deri tani vendi më pro-evropian në Ballkan”, duke argumentuar se më shumë se 90 për qind e popullsisë është vazhdimisht në favor të integrimit në BE dhe NATO.

“Nën qeverinë e re, vendi po ndjek një politikë absolutisht pro-evropiane dhe pro-perëndimore. Qeveria e Kosovës gjithashtu shumë shpejt i është bashkuar të gjitha sanksioneve perëndimore kundër Rusisë.”

Brand thotë se antarësimi i në strukturat euroatlantike do të krijonte stabilitet në Ballkan.

“Në pikën e kthesës pas sulmit të Rusisë ndaj Ukrainës, qeveria federale duhet të mbështesë në mënyrë aktive kërkesën e Kosovës për anëtarësim në BE dhe NATO, në mënyrë që paqja në pjesët e tjera të Evropës, veçanërisht në Ballkan, të mos rrezikohet më nga veprimet e Rusisë dhe Serbisë. – nga propaganda pro-ruse te manovrat ushtarake.”

 Olaf Scholz dhe Albin Kurti në Berlin Gjermania e mbështet aplikimin e Kosovës në KE. Këtë garanci e mori kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë vizitë së tij të fundit në Berlin, më 4 maj 2022, nga Kancelari Olaf Scholz

Momenti i duhur

Kontributi më i rëndësishëm për këtë është njohja në tërësi e kufijve në Evropë, shkruan më tej deputeti gjerman.

“Nëse Serbia dhe Rusia nuk mund të vazhdojnë lojën e tyre të rrezikshme kufitare në Ballkan, rreziku i një konflikti të ri atje do të reduktohet ndjeshëm. Mbështetja për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në Këshillin e Evropës do të ketë efekt stabilizues edhe në situatën në Bosnje-Hercegovinë, ku edhe ekstremistët serbë, aleatë me Rusinë, po i vënë në pyetje kufijtë.”

Politikani i CDU-së, shpjegon se përse tani është momenti i duhur për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës:

“Në Këshillin e Evropës, më shumë se 72 për qind e shteteve anëtare e kanë njohur tashmë Republikën e Kosovës, ndërsa të tjerat janë afruar me njëri-tjetrin. Është koha e duhur dhe qasja e duhur për të bërë një hap të rëndësishëm përpara në integrimin e mëtejmë të Kosovës dhe në të njëjtën kohë të gjithë rajonit.”

Në përfundim të deklaratës së tij për media, Michael Brand, kërkon që qeveria gjermane, hapa konkrete:

“Tani është e rëndësishme që qeveria federale jo vetëm të bisedojë, por edhe të veprojë në mënyrë aktive. Kancelari Federal dhe Ministrja e  Jashtme i kanë siguruar personalisht lidershipit kosovar mbështetjen e tyre. Kjo tani duhet të reflektohet në veprime konkrete”. (ash)

Top Channel