Nuk i përputhen shenjat e gishtërinjve, prej 5 muajsh 16 vjeçari nuk pajiset me dokument. Policia: Është i njëjti person!

12/05/2022 20:40

Elio Kosta vetëm 16 vjeç ka kërkuar ndihmën e emisionit Fiks Fare pasi në Janar të vitit 2022 ka aplikuar për rinovimin e pasaportës, kjo e fundit e skaduar në Dhjetor 2020.

Elio jeton prej shumë vitesh në Greqi bashkë me familjen e tij ku edhe studion.  Ai tregon se ka që prej muajit Janar që nuk mundet të tërheqë pasaportën edhe pse ka aplikuar për një pasaportë të shpejtë 3 ditore. Sipas tij kur është njoftuar për tërheqjen e pasaportës bashkë me mamanë e tij nga punonjësit e Drejtorisë së Policisë Tiranë i është thënë se nuk mundet ta tërheqë, pasi ka një problem me identifikimin e tij.

Babai i Elios ka vajtur disa herë të interesohej pranë kompanisë ALEAT, dhe këta të fundit i thonë se duhet të vijë të interesohet herë pas here. Gazetarët e Fiks Fare bashkë me Elion i drejtohen Gjendjes Civile Numër 2 në qytetin e Tiranë, ku familja e tij është e regjistrua, për të pyetur se si qëndron problemi.

Punonjësa e këtij institucioni jashtë kameras tha se bëhet aplikimi dhe në momentin që pasaporta ka një vonesë i bie të jetë rast komisioni, komisioni vlerësohet nga Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile. Mblidhen dokumentat dhe dërgohen atje. Komisioni del në një vendim, pasi ka patur një mospërputhje.

“Ne dërgojmë të dhënat. Rasti është delegur nga kompania ALEAT pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile, dhe kjo e fundit e sjell për verifikim aty ku ka njësinë. Shkresa nga ana e institucionit  tonë është dërguar, kur komisioni të dalë në një vendim do të njoftohet dhe shtetasi. Shkresat janë dërguar brënda afateve ligjore. Elio ka të drejtën e vet të pajiset me pasaportë. Ky aplikim ka vetëm një numër identiteti, tek fotoja ndoshta nuk përputhet fytyra” shprehet punonjësja e gjendjes civile.

Fiks Fare u interesua edhe në  Komisariatin NR. 2 Tiranë në lidhje me procedurat e verifikimit për problemin e Elios. Ky komisariat vendosi në dispozicion për Fiks Fare dokumentin përmes së cilit shpjegohet se më datë 1 Mars 2022 Elio është intervistuar nga punonjësit e komisariatit  me një kërkesë të Ministrisë së Brendshme, nga ku vërtetohet se Elio Kosta është i njëjti person.

Por eksperti kriminalist Artan Rexhepi thotë se rastet e ngjashme janë shumë të rralla. “Probleme me ngjashmërinë  ndodhin vetëm me ndryshimin e gjeneraliteteve. Sado që të zhvillohet një person shenjat e gishtërinjëve, retina e syve dhe tiparet e tjera në fytyrë janë të pandryshueshme.

Është një aplikacion që ndihmon ekspertët shtetëror për të kryer ekspertizën sa më të shpejtë, por në dijeninë time në vendin tonë nuk ka, në rast të ngjashme mund të kërkohet ndihma e ekspertëve privat, por edhe ata e kryejnë ekspertizën manualisht. I gjithë ky konstatim nuk kërkon më shumë se 2 javë kohë” pohon eksperti kriminalistik.

Por derisa institucionet të zgjidhin ngërçin që u është krijuar, Eliosi vazhdon të jetojë larg familjes së tij dhe ka humbur gjithashtu edhe vitin shkollor.

Top Channel