Lufta po bëhet më e paparashikueshme, Inteligjenca amerikane : Putin mund të marrë masa drastike

10/05/2022 18:37

Inteligjenca amerikane beson se lufta e presidentit rus Vladimir Putin në Ukrainë ka të ngjarë të bëhet “më e paparashikueshme dhe më e përshkallëzuar” në muajt e ardhshëm.

Drejtoresha e inteligjencës kombëtare të vendit,  Avril Haines dha një tablo të zymtë dhe të pasigurt të fazës tjetër të pushtimit dymujor të Putinit.

“Tendenca aktuale rrit gjasat që Presidenti Putin të kthehet në mjete më drastike, duke përfshirë vendosjen e ligjit ushtarak, riorientimin e prodhimit industrial ose veprimet ushtarake potencialisht përshkallëzuese për të çliruar burimet e nevojshme për të arritur objektivat e tij ndërsa konflikti zvarritet, ose nëse ai mendon se Rusia po humbet në Ukrainë”, tha Haines.

Megjithatë, Haines  tha se ata  nuk besojnë se Putini do t’i drejtohej përdorimit të armëve bërthamore nëse nuk ndjente se kishte një kërcënim ekzistencial për Rusinë.

Komuniteti i inteligjencës beson se Putini po përgatitet për një konflikt të zgjatur  dhe se qëllimet e tij shtrihen shumë përtej rajonit lindor të Donbasit, ku ushtria e tij aktualisht është e fokusuar pasi u zmbraps nga Kievi në javët e para të luftës.

“Muaji i ardhshëm i luftimeve do të jetë i rëndësishëm pasi përpjekjet ruse për të rigjallëruar përpjekjet e tyre. Por edhe nëse ato janë të suksesshme, ne nuk jemi të sigurt se lufta në Donbas do t’i japë fund luftës”, tha Haines.

Në një afat të afërt, Putini dëshiron të pushtojë dy rajonet lindore të Donetskut dhe Luhanskut, të kontrollojë qytetin e Khersonit dhe potencialisht të zgjasë një urë tokësore deri në Transnistria, një rajon separatist i Moldavisë ku trupat ruse janë vendosur aktualisht , u shpreh  Haines.

Top Channel