Më tepër se një vit nga aprovimi i ligjit për kriptovalutat  përmes të cilit synohej tregtimi dhe investimi i ligjshëm i tyre, pranë  Autoritetit të  Mbikëqyrjes Financiare  nuk është regjistruar asnjë aplikim për licencë.

Përballë indiferencës së kompanive apo bizneseve për tu licencuar në tregun e kriptomonedhave , ish zëvendës kryeministri Erjon Braçe ka dyshimet e tij

Erjon Braçe: Si ka mundësi nuk kanë asnjë aplikim. A nuk duhet të dyshohet se ndoshta po kryhet pastrim parash Kjo do të thotë që ata po bëjnë pastrim parash apo jo?

Ervin Mete: Prononcimi për këtë mund të jetë deluzive. Tani si të flas unë për faktin që ata nuk kanë ardhur të licencohen.

Me kërkesën që tregu i zi i kriptomonedhave të kontrollohet , Erjon Brace solli si shembull dështimin e institucioneve publike me lulëzimin e call centerave në Shqipëri që më pas u hetuan ndërkombëtarisht jo vetëm nga drejtësia gjermane

U bëmë turpi i botës me call-centerat dhe asnjë organ ligjzbatues shqiptar nuk funksiononte. Tani i njëjti fenomen po ndodh me kriptovalutat. Mos të bëjmë sikur nuk e dimë që ky tregu funksionon dhe që është i dyshuari numër një për pastrimin e parave. Po ju them diçka për kriptovalutat. Edhe në skandalin e fajdeve që shpërtheu në 97’, Banka e Shqipërisë kështu thoshte  që nuk monitorojmë një aktivitet të palicensuar, por e patë se çfarë ndodhi, prandaj ju duhet të jeni agresiv në kontrolle dhe agresiv në denoncime pranë policisë”, tha ai.

Për 2021 policia kreu disa operacione të bazave të fshehta për prodhimin e monedhës virtuale dhe sekuestroi në disa qytete 10 laboratorë. Mbas bllokimit të një serie pajisjesh që kushtojnë mijëra euro , akuza ka  hapur hetime për ushtrim të paligjshëm të aktivitetit financiar përmes prodhimit të kriptovalutës. Në disa nga këto hetime llogaritet si dëm ekonomik edhe vjedhja e energjisë elektrike, evazioni fiskal si dhe pastrimi i parave.

 

Top Channel