Pas arratisjes nga gjykata së një 22-vjeçari ditën e djeshme, katër punonjës të komisariatit të Korçës janë marrë nën hetim nga prokuroria pasi akuzohen për shpërdorim detyre.

Nën hetim u mor inspektor Guri Stillo, me detyrë Përgjegjës i zonave të sigurisë në Komisariatin e Policisë Korçë, inspektor Fahri Selishta, me detyrë Trupë shërbimi i patrullës së përgjithshme, në Komisariatin e Policisë Korçë, inspektor Enea Selimaj, me detyrë Trupë shërbimi i Patrullës së Përgjithshme, komisar Mariglen Jaçellari, me detyrë Shef i Seksionit të Rendit në Komisariatin e Policisë Korçë

Policia thotë se inspektorët Guri Stillo  dhe Fahri Selishta nuk kanë përmbushur detyrën funksionale duke mos zbatuar detyrimet ligjore për mënyrën e shoqërimit të personave të arrestuar apo të ndaluar.

Ndërsa, inspektor Enea Selimaj, në kundërshtim me procedurat standarde të punës dhe në cilësinë e përgjegjësit të patrullave, ka bërë njoftimin vetëm të njërit prej punonjësve të patrullës për shoqërimin në gjykatë të të riut.

Gjithashtu, në lidhje me këtë ngjarje, dyshohet se Mariglen Jaçellari në cilësinë e eprorit të drejtpërdrejtë dhe në mungesë të Specialistit të Rendit, në kundërshtim me ligjin, nuk ka marrë masa për organizimin e shërbimeve për shoqërimin e shtetasit K. M.

Kristjan Medolli 22-vjeç nga fshati Qatrom u arratis nga gjykata e shkallës së parë pak momente pasi ishte njohur me lasën arrest në burg ndërsa akuzohej për një vjedhje.

Top Channel