Të rrethuar prej javësh nga rusët, civilët evakuohen nga uzina Azovstal në Mariupol

08/05/2022 08:24

Pas një kohe të gjatë të izoluar, të gjithë të moshuarit, gratë dhe fëmijët janë evakuuar nga fabrika e rrethuar e çelikut Azovstal në Mariupol.

Operacioni filloi një javë më parë, i koordinuar nga OKB dhe Kryqi i Kuq, të cilët nuk e kanë konfirmuar lajmin, sipas BBC.

Rusia ka rrethuar fabrikën për javë të tëra, duke kërkuar dorëzimin e mbrojtësve nga batalioni Azov.

Vendndodhja e të evakuuarve nuk është ende e qartë, por zëvendëskryeministrja ukrainase Iryna Vereshchuk tha se kjo pjesë e operacionit humanitar tashmë ka përfunduar. Në të kaluarën, u deshën ditë të tëra që të evakuuarve të arrinin në territorin e kontrolluar nga Ukraina.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se më shumë se 300 civilë ishin shpëtuar nga uzina, megjithëse ministria ruse e mbrojtjes dha një numër shumë më të ulët, duke thënë se 51 persona ishin evakuuar gjatë një periudhe prej tre ditësh.

Zelensky tha se përpjekjet diplomatike po vazhdojnë për të nxjerrë personelin ushtarak nga Mariupol.

Pushtimi i Mariupolit është i rëndësishëm për trupat ruse, sepse do t’i lejojë ata të përfundojnë një urë tokësore midis Krimesë dhe rajonit të Donbasit, si dhe t’u japë atyre kontrollin e plotë të më shumë se 80% të vijës bregdetare të Detit të Zi të Ukrainës.

Top Channel