Në Gjirokastër është duke u mbajtur këtë fundjavë “Qilim Fest”, një spektakël qilimash dhe motivesh që kanë mbuluar kalldrëmet, demonstrime publike të traditës së punës në tezgjah, shoqëruar me kënde të ndryshme muzikore të polifonisë, muzikës instrumentale dhe grupeve live të jetës së natës.

Disa prej qilimave të ekspozuar në pazar janë realizuar që prej fillim shekullit të kaluar si pjesë e një traditë po aq të vjetër sa qyteti. Realizimi i punëve në tezgjah sfidohet gjatë dekadave të fundit prej mungesës së lëndës së parë, mungesës së të rejave që merren me këtë profesion dhe konkurrencës prej produkteve të fabrikuara.

Pjesë e eventit u bënë qindra vizitorë që e eksplorojnë Gjirokastrën në fundjavë por edhe grupe të huajsh ndërsa mbrëmja kulmoi me muzikën e Edea Demaliaj & Band.

Gjirokastra pritet të ketë këtë vit një sezon të krahasueshëm me vitin 2019 ndërsa prurjet e eventeve me karakter tematik si ky i shpalosjes së qilimave priren ti shtojnë cilësinë ofertës turistike  dhe njëherazi të tërheqin vëmendjen për mbrojtjen e traditës lokale dhe produktit turistik vendas.

Top Channel