“Ne jemi me ju!”/ Zonja e Parë e SHBA-së viziton refugjatët ukrainas në Rumani

07/05/2022 16:52

Zonja e Parë e SHBA-së, Jill Biden ka vizituar këtë të shtunë gra dhe fëmijë ukrainas të cilët janë strehuar në Rumani prej luftës në Ukrainë.

Zonja e parë e Amerikës dëgjoi histori rrëqethëse teksa vizitonte një shkollë që priste studentë refugjatë.

Vizita e saj në Evropën Lindore vjen ndërsa presidenti Joe Biden po i bën presion Kongresit që të kalojë një shtesë prej 33 miliardë dollarësh për ndihmë ekonomike dhe sigurie.

“Ne jemi me ju”, u tha zonja e parë nënave të disa prej studentëve, pasi vizitoi klasat ku fëmijët e moshës 5 deri në 15 vjeç ndjekin tashmë shkollën, sipas Sky News.

Gjatë një bisede me një vajzë të re ukrainase, fëmija i tha asaj përmes një përkthyesi: “Dua të kthehem te babai im!“. Dr. Biden më vonë u tha gazetarëve se fjalët e vajzës ishin “zemërthyese”.

“Unë mendoj se nënat bëjnë gjithçka për fëmijët e tyre”,  u tha zonja e parë, duke i quajtur ato gra të forta.

Rreth 7,000 ukrainas kalojnë kufirin dhe mbërrijnë në Rumani çdo ditë, tha Pablo Zapata, përfaqësuesi rumun për agjencinë e OKB-së për refugjatët.

“Ne të gjithë shpresojmë, apo jo”,  u tha Dr Biden gazetarëve. “Ne zgjohemi çdo mëngjes dhe mendojmë se kjo duhet të marrë fund,  por ende vazhdon dhe vazhdon.”

Zonja Biden është në ditën e dytë të një udhëtimi katër-ditor në Rumani dhe Sllovaki që është projektuar për të treguar mbështetjen e SHBA-së për refugjatët ukrainas.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA