
Anketimi më i fundit i Eurobarometer tregon një mbështetje të palëkundur për Ukrainën dhe popullin e saj.
Sipas sondazhit të publikuar në profilin e Komisionit Europian në Tëitter, 79% e europianëve mendojnë se që prej fillimit të agresionit rus, BE-ja ka dëshmuar solidaritet të plotë, 63% thonë se blloku u shfaq i bashkuar në mesin e kësaj krize dhe 58% shprehen se Brukseli u tregua i shpejtë në reagimin e tij.
Bashkimi Europian ka vendosur një sërë sanksionesh ndaj Rusisë pas sulmit të paprovokuar të saj mbi vendin fqinj. Një ditë më parë, presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, prezantoi dhe një paketë të re masash, ndër më të fortat deri tani, që përfshin dhe ndalimin e plotë të importeve të naftës ruse deri në fund të vitit.
“Të jemi të qartë, nuk do të jetë e lehtë sepse disa shtete anëtare janë shumë të varura nga nafta ruse, por ne thjesht duhet ta bëjmë këtë”, deklaroi ajo, duke shpjeguar se është menduar dhe për këtë ngërc. Ndaj dhe u hodh ideja e një qasjeje me faza, e cila t’u mundësojë anëtarëve të BE-së të gjejnë alternativa për importet nga Rusia dhe të ulin efektet negative në tregjet globale të energjisë, duke ndihmuar në rritjen e trysnisë ndaj Moskës dhe duke zvogëluar dëmin ekonomik.
Ndërkohë, për të nxjerrë përpara drejtësisë nëpunësit përgjegjës qeveritarë dhe ushtarakë, po mbështeten pakufizim hetimet e nisura nga Gjykata Ndërkombëtare Penale si dhe puna e komisionit hetimor të Komisarit të Lartë të OKB-së për të Drejtat e Njeriut. BE-ja po ndihmon dhe Prokurorinë e Përgjithshme ukrainase dhe shoqërinë civile në mbledhjen dhe sigurimin e dëshmive për krime lufte.
Top Channel