Ekskluzive/ Pak minuta pasi u gjet i vdekur në qeli, publikohen fotot e trupit të Ilvi Metës në Top Story

05/05/2022 00:02

Fotot ekskluzive të trupit të Ilvi Metës, i cili dyshohet se u vetëvra në komisariatin e Kavajës mbrëmjen e një dite më parë janë publikuar këtë të enjte në emisionin Top Story në Top Channel.

Bazuar në fotot e publikuara në anën e djathtë të trupit ka një shenjë operacioni të kryer më parë, ndërsa në mes dhe në anën e majtë dallohen shenja në ngjyrë të verdhë dhe të gjelbër të hapur.

Gjithashtu duket dyshuese shenja e lidhëses në qafën e djalit, e cila ka krijuar dëmtim më shumë mbrapa qafës se sa përpara.

31-vjeçari u gjet i pajetë rreth orës 19:00 të mbrëmjes të së mërkurës në një prej qelive të komisariatit të Kavajës.

I riu ishte arrestuar me urdhër të gjykatës pasi ishte i dyshuar për vjedhjen e një banese në Kavajë më datën 2 prill.  Forcat e policisë e mbyllën në dhomat e izolimit rreth orës 15:00 dhe katër orë më vonë ai u gjet i pajetë.

Ekspertiza mjekoligjore zbuloi se 31-vjeçari Ilvi Meta nuk është dhunuar por ka ndërruar jetë nga asfiksia. Ai dyshohet se është vetëvarur me rripin e kapuçit të bluzës që kishte veshur. Për këtë shkak janë vënë nën akuzën e shpërdorimit të detyrës 3 punonjës policie që me veprimet dhe mosveprimet e tyre nuk kanë parandaluar këtë ngjarje.

I vdekuri Ilvi Meta

Në pranga ka rënë nën komisari Betrit Berhamaj  dhe inspektorët Bexhet Beriberi dhe Reshit Kola. Dyshohet se punonjësit e policisë nuk zbatuan procedurat standarde të trajtimit të personave të ndaluar duke e lejuar të mbante rripin me të cilin dyshohet se kreu vetëvrasjen.

Ndërsa babai i viktimës nuk e beson versionin e hetimeve paraprake, duke thënë se djali i tij është vrarë.

Nuk ishte hera e parë që 31-vjeçari përballej me uniformat blu. Ai rezulton i shoqëruar dhjetëra herë në polici dhe i dënuar 4 herë për vjedhje.  Mbetet ende mister se pse këtë të mërkurë 31-vjeçari kreu aktin e vetëflijimit.

Komisariati i Kavajes

22:47 Vdekja e Ilvi Metës/ Ish- Avokati i Popullit: Duhet një eksperiment hetimor që të vërtetojë se çfarë ka ndodhur

Ish Avokati i Popullit, Ermir Dobjani i ftuar në Top Story tha se  duhet një eksperiment hetimor për të kuptuar se çfarë ka ndodhur me Ilvi Metën, 31-vjeçarin që dyshohet se u vetëvra në komisariatin e Kavajës.

“Ende pas 30 vitesh njerëzit humbin jetën në dorën e policisë, një person i cili u vra nga policia e Korçës, u hetua dhe u bë riautopsia e cila vërtetoi se ai kishte vdekur si pasojë e dhunës së policëve, u dënuan 6 policë dhe kryesoret u dënuan me nga 16 vite burg. Duhet të vërtetohet që ky rrip kishte atë fuqinë, duhet një eksperiment hetimor me mjetin që është bërë, do të tregonte shumë. Do vërtetohet nëse ai e ka vënë ai atë rrip. Kjo do ta zgjidhë enigmën. Çështja tjetër është që policia gabon kur bën komunikatat”, tha Dobjani.

22:29 Ekskluzive/ Xhupi që mbante veshur Ilvi Meta kur u gjet i vdekur, e motra: Ku është lidhësja, pse nuk na e sollën

Ilvi Meta, gjatë momentit që është gjetur i vdekur mbrëmjen e djeshme në komisariatin e Kavajës, mbante veshur një xhup të hollë, siç shihet në foton e mësipërme e siguruar ekskluzivisht nga Top Story. Siç duket, lidhësja mungon në xhup, ndërsa e motra e viktimës, Irena, pretendon se ishte shumë e shkurtër dhe me të nuk mund të mbytej dot.

“Nuk e ka mbytur veten me litar aq të vogël. Ne duam kamerat e filmuara. E kemi marrë vesh lajmin nga tv. Kur trupi u çua në morg, më thanë nuk lejohet të hyjë njeri. Ta çajnë trupin dhe ne mos ta shihnim ça shenjash kishte. Pse ja kanë hequr litarët, t’i linin për shenja”, tha e motra në “Top Story”.

21:55 Vdekja e Ilvi Metës/ Avokatja e Popullit në Top Story: Duhet të ishin hequr sendet e  ndaluara

Avokatja e Popullit, Erinda Ballanca e ftuar në emisionin  Top Story në Top Channel tha se Duhet të ishin hequr sendet e ndaluara në momentin kur Ilvi Meta është futur në qeli.

“Shpreh ngushëllimet për familjen. E kuptoj dhimbjen e tyre dhe që ndihen të pafuqishëm para kësaj situate. Në komisariatin e Kavajës, kishim kryer një inspektim, e kishim të freskët vizitën. Shkuam dje, e ndoqëm dinamikën në vend. Personi është shoqëruar në rajon në orën 11. Gjatë kësaj kohe, kur ishte i shoqëruar, është marrë vendimi i gjykatës, është arrestuar për këtë vepër penale. Nuk janë marrë deklarime, nuk kishte pyetje formale për këtë qytetar. 4 të pasdites u fut në dhomën e sigurisë. Ky qëndrim është i përkohshëm. Problemi ka të bëjë, personi ka qenë në përgjegjësinë e shtetit. Pistën e vrasjes, së vetvrasjes, dhuinës psikologjike. Deri më tani, është vetëvrasje. Hetimi nuk ka përfunduar. Ne kemi parë pamjet që lidhen me momentin e arrestimit. Nga kamerat shikohet nëse ka tutë apo jo veshur. Duhet të kishte kryer një kontroll të imët për të hequr sendet e ndaluara, ky është një send i ndaluar, edhe në rastin që  personi do të ishte vetëvarur ka ardhur nga mospërgjegjësia e punonjësve të policisë”, tha Ballanca.

21:55 Motra e Ilvi Metës bën deklaratën e fortë: Vëllanë e ka kërcënuar një polic, i kishte thënë…

Motra e Ilvi Metës, të riut që ndërroi jetë mbrëmjen e djeshme brenda ambienteve të komisariatit të Kavajës, ka dhënë një deklaratë të fortë mbrëmjen e sotme në “Top Story”. Për gazetaren Dorjana Bezat, motra e Ilvit, Irena tha se herën e parafundit që u shoqërua në polici është shoqëruar nga një efektiv policie.

Për dy ditë do kalonte në Greqi, Kohët e fundit ka marrë një kërcënim nga një punonjës policie. Kur u arrestua herën e parafundit ishte një armë lodër, e kanë mbajtur dy orë. Një polic që e kishte inat i thoshte këtë herë ‘më ike por do vijë dita që do më biesh në dorë’. Që aty e dy viteve nuk ka pasur asnjë probleme”, tregoi motra e Ilvi Metës në “Top Story”, teksa tha i se vëllai nuk i kishte treguar se cili polic e kishte kërcënuar.

21:51 “U ka ngelur në dorë”, deputeti zbulon në Top Story bisedën në telefon

Deputeti demokrat, Dashnor Sula ka zbuluar në Top Story një bisedë në telefon në një prej studiove televizive ku ishte i ftuar. Duke mos thënë burimin ai shprehet se një oficer policie kishte thënë se u kishte ngelur në dorë.

“Kam marrë informacion, nuk e them dot burimin, isha në një emision televiziv i telefonoi një oficer policie duke i thënë se ka ndodhur kjo ngjarje por atyre maskarenjve u ka ngelur në dorë”, tha Sula.

Një ditë më parë, kur ndodhi ngjarja përmes një statusi në Facebook ai akuzon policinë si autore të vrasjes së Ilvi Metës.

“Kavaja u trondit pasditen e sotme nga një ngjarje e rëndë ku sipas raportimeve të para një 28 vjeçar me inicialet I.S ka ndërruar jetë në ambientet e Komisariatit të Policisë së Kavajës. Burimet më konfirmojnë se i riu nuk ka vrarë veten por ai ka ndërruar jetë si pasojë e dhunës barbare që kanë ushtruar punonjësit e policisë. I bëj thirrje Prokurorisë që të zbardhin ngjarjen me profesionalizëm dhe pa lejuar manipulimin e provave. Opozita po ndjek me vëmendje ngjarjen dhe inkurajojmë organin e akuzës që të bëjnë punën në mënyrë të pavarur”, shkruan Sula në Facebook.

21:33 Para se të gjendej i vdekur kishte kërkuar ushqim/ Babai i Ilvi Metës: Më sollën rripin në shtëpi, më thanë…

Baba i Ilvi Metës, 31-vjeçarit që u gjet i vdekur mbrëmjen e djeshme në komisariatin e Kavanës, ka treguar momentet e fundit që pati kontakt me djalin e tij, përmes efektivëve. Ai tha mbrëmjen e sotme për “Top Story” se një efektiv i afërm i kishte çuar në shtëpi rripin dhe i kishte treguar se Ilvi donte ushqim në qeli.

Kur polici më pruri rripin, më tha që Ilvin e kanë ndaluar, prandaj të erdha ti solla te shtëpia. Tha çoji gjë për të ngrënë, unë i thashë Irenës t’i çonte ushqim”, tha babai, Agimi.

Ishte e motra e Ilvit, Irena, që i çoi për të ngrënë, duke ia dorëzuar efektivët pasi nuk e kishin lënë ta takonte.

Nuk e kam takuar se s’më kanë lënë të hy brenda. Polici më ka thënë që Ilvi do të haj, do ushqim. Un kam shkuar i bleva byreqe dhe ujë ia çova. Më pa pak çuditshëm. Kujt Ilv tha, Ilv Metës i thashë”, tha e motra e viktimës.

21:32 Vdekja e Ilvi Metës, Gazetarja Anila Hoxha në Top Story: Policia duhet të sqarojë se përse është mbajtur në ambientet e paraburgimit

Gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha në emisioni  Top Story në Top Channel tha se policia duhet të japë sqarim se përse i riu është mbajtur në ambientet e paraburgimit.

“I ndjeri merr statusin e të arrestuarit në orën 16:00 kur i komunikohet akuza, nga ky moment deri në orën 19: 00 jemi të paqartë se çfarë ka ndodhur, për të ndaluarin duhet të ketë urdhër ndalimi nga oficerët. Duhet të sqarohet me prova, thonë se ai ishte shfaqur i qetë. Thonë se ka sekuestruar kamera sigurie. Ata dyshojnë për shpërdorim detyre se ata nuk e kanë mbuikqyrur të ndjerin. Edhe pasi ka marrë statusin e të arrestuarit, ai është mbajtur në të njëjtin ambient. Ekspertët firmosin në mënyrë unanime, se i riu i ka dhënë fund jetës përmes litarit të kapuçit të bluzës. Ata pretendojnë se kanë zhvilluar të gjithë proedurën. Ata duhet që t’i heqin sendet që dyshohet se janë të rrezikshme”, tha Hoxha.

21:22 Vdiq në komisariat/ Familjarët e Ilvi Metës hedhin dyshime të forta: Trupi kishte shenja dhune në bërryla dhe në stomak

Familjarët e 31-vjeçarit që u gjet i vdekur mbrëmjen e djeshme në komisariatin e Kavajës kanë hedhur dyshime të forta se mbi të mund të jetë ushtruar dhunë nga ana e efektivëve. Kushëriri i Ilvi Metës, tha mbrëmjen e sotme në “Top Story”, tha se viktima kishte kaluar një operacion dhe vuante nga stomaku, ndërsa aty i janë gjetur shenja dhune. Sipas tij, shenja dhune janë parë edhe në bërryla dhe brinjë.

Ne kemi parë trupin, kur ka ardhur nga morgue, kemi parë shenja të dhunës në pjesën e bërrylave, brinjave dhe stomakut. Iliv ka kaluar operacion dhe vuante nga stomaku. Në mes të stomakut kemi parë shenja dhune. I kemi të fotografuara, do të presim hetimet të kryen të thonë fjalët e tyre”, u shpreh kushëriri në “Top Story”.

 

FOTO GALERI
1/6
Trupi i Ilvi Meës

Top Channel