Vdekja e Ilvi Metës/ Ish- Avokati i Popullit: Duhet një eksperiment hetimor që të vërtetojë se çfarë ka ndodhur

05/05/2022 22:47

Ish Avokati i Popullit, Ermir Dobjani i ftuar në Top Story tha se  duhet një eksperiment hetimor për të kuptuar se çfarë ka ndodhur me Ilvi Metën, 31-vjeçarin që dyshohet se u vetëvra në komisariatin e Kavajës.

“Ende pas 30 vitesh njerëzit humbin jetën në dorën e policisë, një person i cili u vra nga policia e Korçës, u hetua dhe u bë riautopsia e cila vërtetoi se ai kishte vdekur si pasojë e dhunës së policëve, u dënuan 6 policë dhe kryesoret u dënuan me nga 16 vite burg. Duhet të vërtetohet që ky rrip kishte atë fuqinë, duhet një eksperiment hetimor me mjetin që është bërë, do të tregonte shumë. Do vërtetohet nëse ai e ka vënë ai atë rrip. Kjo do ta zgjidhë enigmën. Çështja tjetër është që policia gabon kur bën komunikatat”, tha Dobjani.

31-vjeçari u gjet i pajetë rreth orës 19:00 të mbrëmjes të së mërkurës në një prej qelive të komisariatit të Kavajës. I riu ishte arrestuar me urdhër të gjykatës pasi ishte i dyshuar për vjedhjen e një banese në Kavajë më datën 2 prill.  Forcat e policisë e mbyllën në dhomat e izolimit rreth orës 15:00 dhe katër orë më vonë ai u gjet i pajetë.

Top Channel