6.5 miliardë dollarë ndihmë për Ukrainën, konferencë donatorësh në Varshavë

05/05/2022 16:42

Përveç  mikpritjes së ukrainasve në Shqipëri dhe kontributin me municione për forcat e armatosura të Ukrainës, qeveria shqiptare në konferencën ndërkombëtare të donatorëve për Ukrainën që u mbajt në Varshavë të Polonisë , vijoi të shprehë mbështetjen këtë herë më një ndihmë të vogël financiare për vendin, që për më shumë se dy muaj sulmohet nga Rusia.

Në konferencën e donatorëve në Varshavë për Ukrainën u mblodhën në total 6.5 miliardë dollarë, nga bankat, bizneset dhe shtete të ndryshme.

Kryeministri polak, Mateusz Morawiecki tha se Ukrainës i duhen 12 mijë ton ndihma humanitare në ditë, por aktualisht përpjekjet e  ndërkombëtarëve po sigurojnë vetëm 3 mijë të tilla. Në fjalën e tij në konferencën e donatorëve Zelensky theksoi tre elemente ku ata kanë nevojë për suport.

Resurse financiare  për të ndihmuar qytetarët me ndihma humanitare ndërsa lufta vijon, përgatitjen e një plani të madh rindërtimi të vendit  që i ngjason Planit Marshall pas Luftës së Dytë Botërore dhe e treta dhënien sa më shpejt të statusit vend kandidat në BE për Ukrainën.

Ukraina ka marrë deri më tani 12 miliardë dollarë ndihmë në armë dhe para, që kur lufta filloi në 24 shkurt.

Top Channel