Kancelari gjerman, Olaf Scholz ka pritur në takim kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Në konferencë për media Scholz tha se së bashku me Kurtin zhvilluan një bisedë produktive, ku një temë e rëndësishme ishte lufta e Rusisë kundër Ukrainës.

“Kosova është një vend me histori të freskët të luftës, u pozicionua në partneritet me Bashkimin Evropian, e që ka mbështetur sanksionet dhe kjo meriton vlerësim të madh. Ballkani Perëndimor është pjesë e Evropës dhe të gjitha vendet e tij duhet të behën pjesë e BE, e këtu bën pjesë natyrisht Kosova”, tha kancelari gjerman.

Ai gjithashtu tha se ka inkurajuar kryeministrin Kurti për bashkëpunim konstruktiv në negociata me Serbinë.

“Objektivi i dialogut të Brukselit është një marrëveshje gjithëpërfshirëse mes dy vendeve që u hap dy vendeve perspektivën e Bashkimit Evropian për stabilitetin rajonal. Unë e inkurajova Albin Kurtin për bashkëpunim konstruktiv në negociata. Në fund të fundit bëhet fjalë që nga marrëveshja të përfitojnë njerëzit e të dyjave vendeve të Ballkanit Perëndimor”, tha Scholz.

Nëpërmjet procesit të Berlinit, siç ka theksuar Scholz do të arrihen 4 marrëveshje që përfshijnë lëvizjen e lirë dhe njohjen e diplomave.

“Përparimi i mëtejshëm duhet të bëhet në liberalizimin e vizave për Kosovën. Qeveria federale angazhohet me BE-në dhe partneret. Shumë e rëndësishme këtu është bashkëpunimi rajonal. Me procesin e Berlinit, Gjermania ka vite që angazhohet në këtë drejtim. Projekti aktual më i rëndësishëm është krijimi i tregut të përbashkët rajonal, këtu besoj se do të arrijmë të përfundojmë katër marrëveshje për lëvizjen e personave dhe njohjen e diplomave.”, tha Scholz./Reporteri

Top Channel