Investigimi i Fiks Fare/ Botoks dhe filler në parukeri nga mashtrues pa diploma. UMSH: Rrezikoni sëmundje kancerogjene!

04/05/2022 20:40

Fenomeni i injektimeve të botox, filler apo ndërhyrjeve estetike në fytyrë për t’u dukur më të bukur apo korrigjuar ndonjë rrudhë moshe është hapur masivisht edhe në Shqipëri. Çmimet variojnë nga 120 euro për një botox deri në 950 euro.

Të kesh një age në dorë dhe të bësh të këtilla injektime duhet të jesh një mjek, të kesh studiuar,  të njohësh anatominë e njeriut. Por sot këtë profesion po e ushtrojnë parukieret ose estetistët që kanë përfunduar një kurs disa mujor për estetikë.

Mjafton të kërkosh në instagram, botox dhe filler të shfaqen  pafundësish klinika, qendra estetike madje edhe parukeri të cilat konkurrojnë me çmimet për injektime të tilla dhe prezantohen sikur këto shërbime t’i ofrojnë mjekë të specializuar në dermatologji dhe me eksperiencë disa vjeçare.

Në këto kushte Fiks Fare filloi investigimin në disa klinika në Tiranë e Fier.

Fillimisht gazetarët iu drejtuan qendrës estetike Cinderella Aesthetics ku injeksionet i kryen Marjeta Demirlika, e ashtuquajtur Dr. Jeta. Ajo shikon  gazetaren dhe i shpjegon se çfarë duhet të bëj në fytyrën e saj për korigjim. Në bisedë e sipër znj.Demirlika tregon se në këtë klinikë ka vetëm 3 muaj që punon , ndërkohë që është e angazhuar edhe në një tjetër klinikë. Pyetjes së gazetares së Fiksit, që në rastin konkret është pacientja, se ku znj. Demirlika i ka kryer studimet ajo i përgjigjet në Francë dhe në Zvicër. Madje mungesa e saj e shpesht me këtë lidhej pasi kishte bashkëpunime edhe në këto shtete me të tjera klinika. Madje znj. Demirlika shprehet se kjo punë është hapur si shiu pas kërpudhave dhë se kushdo mund të injektojë botox ” aq sa po na ulin reputacionin si mjek” shprehet ajo.

Në klinikën Dermo Aesthetics Gina, gazetares së Fiksit konsulta iu bë nga znj Albina Muhameti e cila u vetëprezantua si mjeke estetiste. çmimi që dha për botoxin ishte 120 euro, kurse për mbushje ( filler) 150 euro zona nazo-labiale.

Gazetarët e Fiksit e shtrinë investigimin e tyre edhe nëpër rrethe duke iu drejtuar qytetit të Fierit. Tek Elitë Medical Aesthetic injeksionet në fytyrë i kryen Gentiana Hykaj e cila shpjegon se është diplomuar për farmaci, por që ka kryer dy vjet specializim për Mjeksi Estetike.

Gazetarët e Fiksin i drejtohen edhe një tjetër qendre bukurie po në Fier, Nertila  Beauty Style. Në këtë klinikë injeksionet me botox e filler i bënte Rexhina Boçi.  Gazetarët e Fiksit pyesin në këtë  sallon dhe i thonë që dr. Boçi është mjeke e diplomuar ka klinikë të saj në Lushnje dhe çdo të hënë paraqitej në këtë sallon për të kryer injeksionet e ndryshme në fytyrë sipas kërkesave.

Por botoxi nuk kryhet vetëm në këto qendra estetike , por edhe nëpër parukeritë e lagjeve. Gazetarja iu drejtua njërës prej këtyre parukerive e quajtur Parukeri Estetik Zana. Në këtë parukeri injeksionet i kryente e ashtuquajtura dr. Arta Sinaj e cila nga biseda që pati me gazetaren doli se punonte infermiere në QSUT, por që ishte duke kryer trajnime njëkohësisht që bënte dhe injeksione. ” Të jesh e qartë ” i drejtohet ajo gazetares së Fiksit “unë kam licencë nga Ministria e Shëndetësisë.” Arta procesin e kryente në zonën që ishte e dedikuar për depilim brenda parukerisë, madje nuk kishte as doreza me vete, përveç mjeteve që i mbante në bagazhin e makinës.

Në këto kushte Fiks FAre iu drejtua tre institucioneve për personat e sipër përmendur që u prezantuan si mjeke.

Në intervistën dhënë për Fiksin zv. Dritan Trepça – zv. president i Këshillit Kombëtar të UMSH-së u shpreh se të gjithë emrat e referuar nga emisioni Fiks Fare, asnjë prej tyre nuk është mjeke. Ai u shpreh se ndërhyrje nga të tillë persona është me rrezikshmëri të lartë dhe se organet kompetente duhet të veprojnë sa më shpejt në marrjen e masave. ” Ne mbajmë përgjegjësi vetëm për mjekët” pohon z. Trepça. Ndërkohë i pyetur nga Fiksi nëse janë stomatolog  dhe a mund të kryejnë ndërhyrje të tilla zv. presidenti i UMSH-së u shpreh se këtë nuk e dinte nesë janë apo jo stomatolog, por për  ndërhyrje të tilla duhet specializim i posaçëm. Ai përfundon duke thënë se pacientët nga ndërhyrje të tilla mund të rrezikojnë sëmundje kancerogjene.

Fiksi iu drejtua edhe mjekes dermatologe Erjona Shehu e cila u shpreh se lëkura është organ , ndaj gjithsecili duhet të kujdeset për të si çdo organ tjetër në trupin e tij. Jo çdo lloj mjeku mund të realizojë këto lloj procedurash. Janë mjekët që kanë certifikimet dhe trajnimet përkatëse,duke nisur që nga diploma e specializimit që marrin në Fakultetin e Mjekësisë,si në Shqipëri edhe jashtë saj. Më pas është Urdhëri i Mjekut që jep licencimin e profesionistit dhe përmes këtyre 2 stadeve është në gjendje profesionisti që të realizojë këto lloj ndërhryjesh. “Nuk mund të kurohet zemra nga një parukiere, nuk mund të kurohet stomaku nga një grimiere. Nuk mund të trajtohet asnjë organ i trupit tonë ku hynë dhe lëkura nga njerëz që  nuk janë të diploaur në Faluktletin e Mjekësië, të palicensuar nga Urdhëri i Mjekut” përfundon dr. Erjona Shehu.

Fiksi për të njëjtën listë emrash kërkoi informacion edhe në Inspektoriatin Shtetëror Shëndetësor të cilët pas vënies në dije nga Fiksi dolën në terren për verifikim.

Nga verifikimi u konstatua se dy prej këtyre subjekteve nuk kishin dorëzuar dokumentacionin higjenosanitar dhe për këtë do të gjobiteshin.  Një tjetër subjekt  kishte produkte kozmetike të palicensuara dhe u vendos pezullimi i aktivitetit, ndërkohë që njëri prej tyre nuk ua hapi derën inspektorëve.Nga raporti që Inspektoriati paraqiti asnjërit prej subjekteve nuk iu gjetën shiringa apo mbetje spitalore edhe pse trajtimet që kryheshin në to duhet të kishin të tilla. Mesa duket sofistikimi i këtyre subjekteve është aq i madh sa fshehin çdo gjë sapo në derë shfaqet shteti!

FOTO GALERI
2/8

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA