Gjermania “thyen tabutë”, Berlini del hapur: PO embargos ndaj naftës ruse!

02/05/2022 10:33

Në një kthesë të fortë qëndrimi, Gjermania ka vendosur të mbështesë embargo ndaj naftës ruse. Ministrja e jashtme gjermane, Annalena Baerbock njoftoi se Berlini ka kërkuar që në paketën e gjashtë të sanksioneve kundër Rusisë të vendoset edhe embargoja e naftës.

“Para disa javësh e dinim, se sanksionet e menjëhershme energjitike nuk mund të mbaheshin dot në fuqi më shumë se 1 muaj, por tani jemi përgatitur, pasi sanksionet kundër Rusisë mund të zgjasin edhe disa vite”, u shpreh kryediplomatja gjermane për mediat vendase.

Baerbock sqaroi se sanksionet mund të hiqen, vetëm kur Rusia të ketë tërhequr plotësisht trupat e saj nga Ukraina. Një ditë më parë, ekzekutivi gjerman pohoi se vendi ka bërë përparim duke zvogëluar ndjeshëm varësinë nga energjia ruse, një ndryshim strategjik ky për  ekonominë më të madhe të Europës që prej nisjes së pushtimit rus të Ukrainës.

Furnizimet ruse tani përbëjnë 12 për qind të importeve të naftës së Gjermanisë, krahasuar me 35 për qind sa ishe më herët, sqarohej në një deklaratë të Ministrisë së Ekonomisë. Po ashtu, importet e qymyrgurit nga Rusia janë 8 për qind, krahasuar me 45 për qind sa blinte më herët Gjermania.

Sanksionet e reja kundër Rusisë mund të vendosen që të mërkurën e kësaj jave, thuhet nga qarqet diplomatike në Bruksel. Për të bindur ende vendet skeptike, parashikohet zbatimi i tyre me disa faza. Kështu vendeve anëtare të BE do t’i jepen gjashtë deri në tetë muaj kohë për të diversifikuar burimet e tyre të naftës. Si vend kryesor bllokues kundër sanksioneve konsiderohet Hungaria.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA