OKB: Rusia ka dërguar specialistë bërthamorë në centralin e Zaporizhjas

30/04/2022 16:07

Agjencia Ndërkombëtare për Energji Bërthamore (ANEB) tha se është informuar nga Kievi se Rusia ka dërguar specialistë bërthamorë për të ndihmuar në monitorimin e centralit bërthamor të Zaporizhjas, që gjendet në juglindje të Ukrainës.

Ky central bërthamor, që është nën kontrollin rus por ende operohet nga stafi ukrainas pas luftimeve të ashpra midis forcave ruse dhe ukrainase, ka qenë burim i shqetësimit të ANEB-it, që është agjenci e Kombeve të Bashkuara.

Shefi i ANEB-it, Rafael Mariano Grossi, tha më 29 prill se stafi ukrainas që gjendet në central, të cilin forcat ruse e morën nën kontroll më 4 mars, janë duke punuar “nën një presion jashtëzakonisht të madh”. Duke cituar zyrtarët ukrainas, ANEB-i tha se tetë përfaqësues të agjencisë bërthamore ruse, Rosenergoatom janë dërguar në centralin e Zaporizhjas.

Forcat ruse janë akuzuar nga Kievi se me qëllim kanë sulmuar gjashtë reaktorët e centralit, duke shkaktuar zjarr dhe duke rritur frikën se veprimet ndaj këtij centrali ukrainas – që është më i madhi në Ukrainë – mund të çojnë në një katastrofë botërore, ashtu siç kishte ndodhur me fatkeqësinë e Çernobilit.

Pak kohë pasi Moska nisi pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt, forcat ruse morën nën kontroll centralin e çmontuar bërthamor të Çernobilit, që gjendet në veri të Kievit. Në këtë central ka pasur luftime dhe ka pasur raportime se forcat ruse kanë shkelur në tokën e kontaminuar dhe mund të jenë ekspozuar ndaj rrezatimit.

Forcat ruse janë evakuuar nga centrali i Çernobilit në fund të marsit.

Ukraina ka katër centrale bërthamore, të cilat së bashku kanë 15 reaktorë që janë në operim.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA