Leonardo DiCaprio merr përgjigje nga lideri brazilian kur bën thirrje për ‘pyjet e Amazonës dhe votë kundër presidentit’ (fotot)

30/04/2022 17:25

Presidenti i Brazilit Jair Bolsonaro i ka dhënë një përgjigje ironike aktorit të famshëm të kthyer në eko-aktivist Leonardo DiCaprio, i cili i kishte bërë thirrje të rinjve të vendit të votojnë në zgjedhjet presidenciale të 2 tetorit për të mbrojtur pyjet e Amazonës dhe “per ndryshimin”, duke nënkuptuar largimin nga zyra të presidentit të djathtë.

DiCaprio, i cili ka kritikuar edhe më parë ecurinë mjedisore të Bolsonaro në vendin e tij, shkroi dje në rrjetet sociale se “Brazili është streha e pyjeve të Amazonës dhe ekosistemeve të tjera thelbësore për planetin.”

“Ajo që ndodh aty ka rëndësi për te gjithë ne dhe vota e të rinjve është çelësi për të nxitur ndryshimin drejt një planeti të shëndetshëm,” shkruante DiCaprio cka e shoqëronte me një link drejt faqes së regjistrimit në zgjedhje.

Por në një kthesë ironike Bolsonaro iu përgjigj atij me një mesazh duke sugjeruar se ylli i Hollywood ishte në fakt duke e mbështetur atë në zgjedhjet e ardhshme.

“Falemnderit për mbështetjen Leo! Është e rëndësishme që të gjithë brazilianët të votojnë. Populli ynë do të vendosë nëse duan të ruajnë sovranitetin ndaj Amazonës, apo nese duhet të menaxhohet nga spekulantë që i shërbejnë interesave speciale të huaja,” shkruante me ironi Bolsonaro.

Më pas presidenti publikonte një foto të postimit të DiCaprio në Instagram duke argumentuar se aktori kishte përdorur një foto të vjetër të vitit 2003 për të ilustruar zjarret në pyjet e Amazonës në 2019.

“Ka disa njerëz që duan të arrestojnë qytetarët brazilianë që bëjnë gabime të tilla në vendin tonë, por unë jam kundër kësaj ideje prej tirani. Keshtu që unë ta fal, përshëndetje nga Brazili”, shkruante 67 vjeçari.

DiCaprio ka mbështetur më parë thirrjet e grupeve mjedisore që kërkojnë kushtëzim të qeverisë atje për mbrojtjen e pyjeve tropikale të Amazonës, që përshkruhen shpesh si “mushkëritë e planetit.”

Por tentativat kanë qenë të padobishme dhe Bolsonaro i ka refuzuar si ndërhyrje në sovranitetin e vendit.

Gjithsesi mbështetja për presidentin ka ardhur në rënie pas goditjes së vendit nga pandemia.

Sondazhet tregojnë se ai mbetet mbrapa rivalit Luiz Inacio Lula da Silva.

FOTO GALERI
1/3
DiCaprio, i cili ka kritikuar edhe më parë ecurinë mjedisore të Bolsonaro në vendin e tij

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA