Rusia merr “grushtin e radhës”, pezullohet nga Agjencia e OKB-së për Turizmin Botëror

28/04/2022 12:25

Goditja më e fundit në arenën ndërkombëtare, Rusisë i vjen nga Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Turizëm Botëror,e  cila votoi për pezullimin e këtij vendi nga radhët e saj për shkak të agresionit në Ukrainë.

Pjesa më e madhe e 160 shteteve anëtare të Agjencisë e kanë përkrahur vendimin, ndonëse numri i saktë i tyre nuk dihet ende.

Për kalimin e mocionit, nevojiteshin dy të tretat e votave. Përpara votimit për pezullimin e saj, Rusia njoftoi se po largohej nga agjencia.“Statuset janë të qarta: promovimi i turizmit për paqe dhe respektim universal të të drejtave të njeriut. Vetëm vendet anëtare që respektojnë ato mund të jenë pjesë e këtij organizmi, u shpreh sekretari i përgjithshëm i tij, Zurab Pololikashvili.

“Veprimet do të kenë gjithmonë pasoja. Paqja është e drejtë themelore e njeriut. E garantuar për të gjithë. Pa përjashtime”, shtoi ai. Ministria e Jashtme ruse e cilësoi vendimin si të motivuar politikisht, e për rredhojë, jolegjitim. “Është vlerësuar që votimi është nxitur nga propaganda anti-ruse”, tha zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.

Sipas tij, vendimi i Rusisë për t’u larguar nga Agjencia për Turizëm Botëror, nuk do të ketë ndikim negativ. “Sektori i turizmit, sidomos turizmi i brendshëm, do të vazhdojë të zhvillohet. Edhe mundësitë për turizëm të jashtëm janë të hapura, varësisht nga situata e konkurrencës dhe cilësia”, ka thënë ai.

Top Channel