Episodet e dhunës me në shënjestër policinë e Kosovës janë rikthyer mëngjesin e sotëm, kur një patrullë e saj u sulmua me armë zjarri në Zupçe të Zubin Potokut.

Fatmirësisht, nga sulmi nuk pati të lënduar, vetëm dëme materiale, por ai mjaftoi për të rikthyer shqetësimin e një rindezjeje të tensioneve në veri të Kosovës ku që nga 13 prilli, janë kanë regjistruar gjashtë sulme ndaj Policisë së Kosovës në veri të vendit – duke përfshirë edhe këtë të sotmin.

Edhe pse nuk është identifikuar ende ndonjë person përgjegjës për këto sulme, dyshimet janë se disa prej të shtënave kanë ardhur nga territori i Serbisë. Komunat në veri të Kosovës, si Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Zveçan dhe Leposavic, janë të banuara me shumicë serbe. Në atë zonë ka pasur disa herë trazira – të fundit kanë ndodhur shtatorin e kaluar, për shkak të disa mosmarrëveshjeve për targat e automjeteve.

Veriu i Kosovës vazhdon të mbetet një nga zonat më pak të kontrolluara të vendit. Në raporte të ndryshme ndërkombëtare, ai përmendet në veçanti si një zonë gri dhe e përshkuar nga veprimtari të paligjshme. Në dhjetor të vitit të kaluar, Shtetet e Bashkuara vendosën sanksione ndaj një grupi të krimit të organizuar me seli në veriun e Kosovës. Grupi i udhëhequr nga afaristi serb, Zvonko Veselinoviç, të cilin departamenti i Thesarit e cilësoi si shef të grupit të krimit të organizuar dhe një nga figurat më famëkeqe të korruptuara të Kosovës.

Ky grup akuzohet përpos tjerash për marrëveshje me politikanët në veri të Kosovës, për të ndihmuar fitoren e tyre në zgjedhje dhe mbështetjen financiare për ta si dhe trafikim të paligjshëm të mallrave, parave, narkotikëve dhe armëve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

FOTO GALERI
1/5

Top Channel