Zyrtarisht kampion/ Bayerni mposht Dortmundin dhe feston me tifozët në “Allianz Arena”

23/04/2022 21:57

Bayerni i Mynihut zyrtarisht kampion i Bundesligës për të dhjetin vit radhazi dhe për herë të 32-të në histori.

Bavarezët nuk pritën më gjatë për të mbyllur llogaritë me kampionatin dhe zgjodhën pikërisht përballjen me ndjekësen më të afërt dhe rivalen më të fortë të dekadës së fundit, Borussian e Dortmundit, për të festuar me tifozët në “Allianz Arena” këtë arritje historike.

Skuadra e drejtuar nga Nagelsmann triumfoi 3-1 në një atmosferë të jashtëzakonshme të krijuar nga tifozët, duke shkuar në kuotën e 75 pikëve, 12 më shumë se verdhezinjtë, kur kanë mbetur vetëm tri javë për t’u zhvilluar deri në përfundim të kampionatit.

Sa i përket kronikës, Bayerni e zhbllokoi takimin që në minutë e 15-të me Gnabry-n, i shërbyer nga Goretzka. Në të 34-tën erdhi dyfishimi i rezultatit me të zakonshmin Robert Lewandowski, që tundi rrjetën pas asistit të marrë nga Muller.

Shtatë minuta pas startit të fraksionit të dytë, Emre Can shkurtoi diferencën në 2-1.  Gjithsesi, në të 84-tën Musiala realizoi golin që “vrau” përfundimisht ndeshjen. Kjo ishte fitorja e 24-t sezonale e Bayernit, që zyrtarizoi titullin e Bundesligës për këtë sezon.

Rezultatet:

Eintracht Frankfurt – Hoffenheim       2-2

Koln – Arminia Bielefeld 3-1

Freiburg – B. Monchengladbach 3-3

Greuther Furth – Bayer Leverkusen    1-4

RB Leipzig – Union Berlin      1-2

Bayern – Dortmund 3-1

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA