Përgjaket Ramazani/ Sulmohet xhamia dhe shkolla fetare në Konduz, të paktën 33 viktima

22/04/2022 21:10

Të paktën 33 vetë u vranë dhe 43 u plagosën në një sulm në një xhami dhe shkollë fetare në Konduz, Afganistanin verior gjatë lutjeve të premten, më 22 prill.

Shumë prej tyre janë studentë, tha një zyrtar taliban.

Zaibulah Mujahid, zëvendësministri i Kulturës dhe Informacionit taliban, tha se sulmi ndodhi në qytetin Imam Saheb në provincën Kunduz dhe se talibanët e dënuan krimin dhe shprehën ngushëllimet e tyre më të thella për viktimat.

Sulmi i sotëm është i fundit në një seri sulmesh vdekjeprurëse në të gjithë Afganistanin.

Deri më tani, askush nuk e ka marrë përgjegjësinë për sulmin, por dega afgane e të ashtuquajturit Shteti Islamik mori sot përgjegjësinë për një seri bombash të kryera një ditë më parë.

Sulmi më i rëndë ishte në një xhami në veri të Maraz-e-Sharif, ku të paktën 12 besimtarë shiitë u vranë dhe dhjetëra u plagosën.

Top Channel