Magazina e verës u kap me 426 pasaporta shqiptare nga Parisi, MEPJ: Ishin të vjetra dhe jashtë përdorimit

21/04/2022 20:06

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme pretendon se 426 pasaportat e gjetura në një magazinë vere, ishin të vjetra dhe kishin dalë jashtë përdorimit.

Në një reagim pas publikimit të lajmit nga Top Channel, ministria sqaron se dokumentat e dala jashtë përdorimit, i dorëzohen Përfaqesisë pas një periudhe grumbullimi, periudha të cilat mund të shkojnë nga disa javë në disa vjet.

Më tej sqarohet se për shkak të volumit të tyre relativisht të madh, të shpenzimeve postare dhe të faktit që janë dokumente të vjetra ose të dala jashtë përdorimit, këto dokumenta, prej mbi 20 vjet dërgohen nëpërmjet një transportuesi rrugor me licensë, të shoqëruara me note verbale nga Përfaqësia dhe me listat emërore të dokumenteve.

Madje sipas ministrisë, kjo metodë nuk ndiqet vetëm nga autoritetet shqiptare, dhe në asnjë moment nuk ka pasur problem në transportimin e tyre.

Reagimi i MEPJ: 

Në Përfaqësinë e RSH-së në Paris, sikundër dhe përfaqësi të tjera, herë pas here, në periudha jo të rregullta kohore, nga ana e prefekturave të policisë apo komisariateve të policisë depozitohen pasaporta, karta identiteti dhe leje drejtimi, të hedhura, humbura e të rigjetura apo të sekuestruara të shtetasve shqiptarë, të shoqeruara me listat përkatëse emërore.

Këto dokumente të dala jashtë përdorimit, i dorëzohen Përfaqesisë pas një periudhe grumbullimi, periudha të cilat mund të shkojnë nga disa javë në disa vjet.

Këto dokumente, pasi merren në dorëzim nga ana e Përfaqesisë, dërgohen në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme. Për shkak të volumit të tyre relativisht të madh, të shpenzimeve postare dhe të faktit që janë dokumente të vjetra ose të dala jashtë përdorimit, këto dokumenta, prej mbi 20 vjet dërgohen nëpërmjet një transportuesi rrugor me licensë, të shoqëruara me note verbale nga Përfaqësia dhe me listat emërore të dokumenteve.

Kjo praktikë nuk ndiqet vetëm nga përfaqësitë shqiptare.

Në asnjë rast nuk ka pasur asnjë problem me transportin e dokumenteve dhe këto janë dorëzuar në mënyrë korrekte në MEPJ, e cila, i përcjell në Ministrinë e Brendshme.

Theksojmë edhe njëherë se bëhet fjalë për dokumente të vjetra dhe të dala jashtë përdorimit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA