Një hetim që synonte të godiste kontrabandën e alkoolit nga Franca drejt Shqipërisë, dhe që gjatë kontrolleve zbuloi në një magazinë vere 426 pasaporta biometrike të shtetasve shqiptarë e ka detyruar prokurorinë dhe policinë te devijojë hetimin dhe të kërkojë shkresa që vërtetojnë se korrieri Sami Xhebrahimi, që doli para gjykatës ishte i autorizuar për transportin e tyre.

Nga hetimet e zhvilluara mbas zbulimit të magazinës me verë dhe pasaporta rezulton se i dyshuari  që punon si transportues ishte pajisur me një vërtetim me numër 75 nga ambasada e vendit tonë në Paris  për t’i dorëzuar dokumentat biometrike  pranë zyrës përkatëse ne  Ministrinë për Europën dhe Punët e Jashtme.

Të pyetur nga TCH  ministria e jashtme këmbënguli se dokumentat  biomerike që u përkasin shtetasve shqiptarë ishin grumbulluar gjatë së paku gjashtë muajve të fundit në Francë dhe janë të raportuara  si pasaporta të humbura apo të pavlefshme dhe priteshin të  dorëzoheshin nga  Xhebrahimi pranë ministrisë se jashtme i brenda datës 10 prill.

Por ende nuk ka asnjë shpjegim as nga ministria dhe as nga prokuroria, se përse  dokumentat biometrike të shtetasve shqiptarë po transportoheshin  përmes një  shtetasi që nuk është punonjës i kësaj ministrie. 426 pasaportat dhe shishet me verë janë  tanimë të sekuestruara në funksion të hetimeve që po kryhen ndaj Xhebrahimit, arrestuar për kontrabandë. hetime nga te cilat mesa duket nuk është përjashtuar as ministria e jashtme dhe as ambasada jone ne Paris.

392 shishet me verë sipas të dyshuarit i ishin dhuruar në ekspozita të formave të njohura botërore në Bordo të Francës.

Gjatë seancës me dyer të mbyllura,  gjyqtarja Vjollca Spahiu e liroi të dyshuarin duke e dërguar nën arrest shtëpiak. Në gjykatë u deklarua se kontrolli u kërkua nga drejtoria e përgjithshme e doganave me mbështetjen e policisë gjyqësore pas dyshimeve  se në magazinat e 65-vjeçarit grumbullohej dhe  shitej verë pa pullën fiskale.

I dyshuari këmbënguli se   gjatë vizitës  në Francë prodhuesit e verërave të njohura i kishin bërë dhurata apo shitje me çmim të lirë , dhe se të gjitha shishet e konstatuara i kishte për konsum familjar. Sa i takon pasaportave ai këmbëngul se do ti dorëzonte pranë institucionit ku ishte autorizuar , megjithëse ato tanimë gjenden në duart e prokurorëve.

Top Channel