Mbi 10 000 biznese të evidentuara me risk që fshihnin pagat reale të punonjësve duhet të bënin deklarimin real të tyre brenda janarit, por vetëm gjysma e subjekteve kanë reaguar duke i korrigjuar ato.

Sipas të dhënave zyrtare të Tatimeve vetëm 5 655 subjekte i janë përgjigjur thirrjes së autoriteteve për zbardhjen e pagave të fshehta.

Infomaliteti më i lartë në paga, sipas tatimeve, duket te bizneset e tregtisë dhe shërbimeve pasi numri më i lartë i subjekteve që kanë korrigjuar pagat e nëndeklaruara i përkasin këtyre sektorëve, por jo vetëm. Edhe ndërtimi do të jetë në “shënjestrën” e Tatimeve në luftën ndaj evazionit, që kanë zbritur sipas tyre në terren me kontrollet e subjekteve me risk.

Evazioni me nëndeklarimin e pagave sipas ekspertëve bën që të paguhen më pak kontribute shoqërore duke riskuar skemën e pensioneve.

Sotiraq Dhamo, ekspert: “Pagat e ulëta, kontributet e ulëta patjetër sjellin një kontribut të ulët të atyre që janë të punësuar dhe si pasojë sigurimet nuk kanë fondet e duhura vetëm për të rritur pensionet, por për një pjesë të madhe që punojnë në informalitet nuk marrin pension fare ose pension fare të ulëta. Kjo bën që të rritet numri  njerëzve që kanë nevojë për ndihmë në moment të caktuara.” 

Ky shqetësim ngrihet edhe nga Kontrolli i Lartë i Shtetit në raportin për zbatimin e buxhetit. Sipas tij, të ardhurat nga kontributet nuk janë të mjaftueshme për mbulimin e shpenzimeve të skemës së pensioneve dhe kjo bëri që shteti në 2020 të financonte rreth 58.2 miliardë lekë shpenzime për skemën.

Por, informaliteti në paga është vetëm një nga faktorët që po riskon skemën e pensioneve sipas ekspertëve, pasi mbi të presion të madh po ushtron edhe emigrimi masiv.

Pano Soko, ekspert për ekonominë: “Kush emigron? Emigrojnë të punësuarit, biznesmenët, njerëzit që mund të hapin biznese qoftë edhe të vogla, por që do të kompensonin rritjen që do të ndodhë në numrin e pensionistëve.” 

rritja me ritme të shpejta e numrit të pensionistëve dhe ulja e kontribuuesve do të thotë më shumë para nga taksat që shkojnë për pensione e më pak për shërbime ndaj qytetarëve.

Pano Soko: Këta njerëz fatkeqësisht po i kin dhe kjo ka sjellë uljen e numrit të kontribuuesve, 1 pensionist për 1.1 kontributor në skemë që mund ta çojë skemën në situate të pamenduara. Duke mos lejuar kryerjen e investimeve apo rritjen e pagave të administratës publike, ky do të jetë fillimi i kolapsit të skemës. Nëse nuk zhvillohet ekonomia dhe të hapen vende të reja pune me paga të larta, patjetër që skema do të shkojë në kolaps.

Top Channel