Procesi i vaksinimit anticovid në vend ka pësuar një ngadalësim, ndërkohë që direktiva e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), për vendin tonë është që deri në fund të qershorit të 2022-shit, të jetë vaksinuar 70% e popullatës target mbi 16 vjeç.

Referuar të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë, deri më tani, mbi 60% e popullatës ka marrë dozën e parë, ndërsa me tre doza janë rreth 12 %.

Një nga qendrat më të mëdha të vaksinimit në vend, ajo në stadiumin “Air Albania” nuk është mbyllur asnjë ditë, që nga janari i 2021-shit, kur nisi vaksinimi në Republikën e Shqipërisë.

Unë sot kam ardhur për dozën e tretë. Të 4 anëtarët e familjes sime e kanë bërë vaksinën. Certifikatën e vaksinimit këtu brendapërbrenda vendit nuk na e ka kërkuar njeri. Jashtë shtetit na e kanë kërkuar.”– tha një qytetare.

Këshillat që japin vaksinatoret janë në rast temperature një Takipirinë, ose Paracetamol. Të mos bëjnë dush, se mund të shkaktojë irritim. Jo aktivitete sportive, që të mos lodhin krahun. Të gjitha këto, për 24 orë.

Në janar të 2021-shit patëm një fluks të madh. Edhe në janar të 2022-shit kemi kryer po ashtu shumë vaksinime. Në Mars e Prill duket se ka një rënie. Një nga aryset që ndikon është Ramazani, agjërimi i besimtarëve. Edhe sot është ditë pushimi, për shkak të Pashkëve, ndaj mund të jetë pak qetësi, por vaksinime janë bërë. Sot kemi patur edhe doza të para, tek moshat e reja 16-17 vjeç.” tha Gladiola Lika, Kryevaksinatore

Në janar të 2022, ka shkuar edhe 600-700 doza në ditë, kurse tani kemi 180-200 doza në një ditë.

Njerëzit duhet të vijnë të vaksinohen, të mbrojnë veten, familjen, shoqërinë. Kjo pikë është e hapur çdo ditë të javës. Më bën çudi, kur shoh njerëz që edhe në ambiente të mbyllura nuk i mbajnë maskat, që është një detyrim ligjor ende. Pjesën e dezinfektimit e kanë hequr pothuaj fare. Shqiptarët që punojnë, jetojnë, studiojnë jashtë, thonë se nuk i lejojnë të futen gjëkundi, pa treguar certifikatën e vaksinimit. Këtu tek ne mendoj, se duhet një shtrëngim masash, nëpër qendrat tregtare, supermarketet, autobusët, që janë plot dhe vetëm 5-6 njerëz mbajnë maska. Vaksina të ndihmon të mos hospitalizohesh dhe të mos përfundosh në intubim.

Periudha e agjërimit për besimtarët myslimanë zgjat 30 ditë. Një nga pyetjet më të shpesh, që është bërë gjatë pandemisë ka qenë, a ndikon vaksina anticovid tek agjërimi.

Shëndeti është në radhë të parë. Një shëndet jo i mirë, bën që besimtari nuk mund të jetë komod për të mbajtur agjërimin. Për këtë arsye, shëndeti në radhë të parë dhe vaksinimi, që ne absolutisht që e sugjerojmë dhe u themi besimtarëve të vaksinohen, të ruajnë shëndetin e tyre dhe t’i përkushtohen agjërimit, sepse që të dyja shkojnë shumë mirë me njëra-tjetrën.” tha Lauren Luli, Myftiu i Tiranës

Unë jam vaksinuar me dy doza deri tani dhe po të jetë e nevojshme, patjetër që do të vazhdoj edhe me dozën e tretë.

Top Channel