Ukrainasit po kthehen, CNN: Më shumë njerëz po hyjnë, sesa po dalin. Bie Kremina

18/04/2022 16:14

Më shumë njerëz kanë hyrë në Ukrainë nga Polonia sesa kanë dalë këtë fundjavë, thotë CNN duke cituar të dhënat e Rojeve Kufitare Polake.

Është hera e parë që nga fillimi i pushtimit rus në 24 shkurt që prej tyre regjistrohet një bilanc i tillë.

Agjencia e kufirit thotë se të shtunën, 22.000 vetë janë kthyer në Ukrainë, krahasuar me 19.200 që shkonin në krahun tjetër. Të premten, shifra e hyrjeve ishte 25.100.

Rreth 2.7 milionë refugjatë morën rrugën drejt Polonisë fqinj që prej fillimit të pushtimit rus. Por tani që fokusi i luftës së Moskës është spostuar drejt Donbasit, dhe trupat e saj janë tërhequr nga Kievi e zonat përreth, një pjesë e të shpërngulurve në Polonia e vende të tjera fqinjë, kanë vendosur të kthehen në zonat e kontrolluara sërish prej forcave ukrainase.

Është më mirë në shtëpi. U larguam të mblidhnim forcat, tani do të kthehemi të presim fundin e luftës në Ukrainë”, u shpreh një ukrainase e larguar.

Ndërkohë, Ukraina dhe Rusia kanë dështuar të pajtohen për hapjen e korridoreve humanitare gjatë ditës së sotme.

Për të dytën ditë me radhë, korridore të tilla, që mundësojnë evakuimin e civilëve nga zonat e luftës në Ukrainë, nuk do të hapen, tha zëvendëskryeministrja ukrainase, Iryna Vereshchuk duke cituar arsyet e sigurisë.

Komentet e saj erdhën në kohën kur kryebashkiaku i Kreminës në rajonin e Luhanskut, njoftoi se forcat ukrainase e humbën kontrollin e qytetit.

“Për momentin, Kreminën nuk e kemi ne në dorë, megjithatë luftime po vazhdojnë të ashpra”, u shpreh ai, ndërsa njoftoi se katër civilë humbën jetën dhe një person i pestë u plagos rëndë pasi forcat ruse hapën zjarr mbi makinën e tyre kur panë se po përpiqeshin të largoheshin nga qyteti.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA