Shuhet Omer Kaleshi, piktori la pas një trashëgimi të madhe artistike

18/04/2022 15:10

Në Paris, në “Boulevard Arago”, në lartësinë e një çatie, atelieri i piktorit Omer Kaleshi ngjan se strehon brenda vetes një copëz të Ballkanit.

Artisti u shua të dielën në moshën 90 vjeçare, por trashëgimia e tij e pasur përmban një sërë tablosh ku është ngjizur diçka nga historia e drama ballkanike.

Portrete të shumtë barinjsh, dervishësh, grash apo fëmijësh, të cilët në stacionet e trenave ngarkuar me shporta frutash në duar, nxitonin t’ua shisnin udhëtarëve që shkonin larg. Portrete të trishtë, apo koka sic i pëlqente atij t’i quante.

Omer Kaleshi, mbajti gjithmonë ndezur në sy imazhin e fshatit të tij Serbica, në Kërçovë, lindi në një familje e mjedis shqiptar të traditës muslimane, mori mësime në gjuhën serbo-kroate dhe shqipe, e më pas, në shkollën teknike, në gjuhën maqedonase. Paskësaj kreu studimet e larta për pikturë në Turqi, ku dhe u formua si piktor.

Me historitë që mbartin portretet e personazhet, janë shfaqur nëpër vite në ekspozita të ndryshme të botës, në Paris e në Londër, në Moskë e në Athinë, në Hagë, Bruksel, Stamboll dhe Shkup, Prishtinë, Tiranë e gjer larg në Kazakistan.

Por cfarë do të bëhet me trashgiminë e tij të pasur. Sipas mikut të tij Luan Ramës ende nuk ka një përgjigje konkrete. Trashëgimtarët e familjes së tij ndodhen në Turqi dhe ata do të vendosin. Sa I përket Shqipërisë shumë pak punë të tij ndodhen në Galerinë Kombëtare të Arteve dhe pavarësisht se Kaleshi ka dashur gjthmonë një takim me ish drejtorin Erzen Shkolloli për ti dhuruar disa punë Garisë, nuk mori kurrë një përgjigje pozitive.

Top Channel