Politika shqiptare ka nisur urimet për besimtarët katolikë që në vigjilje të Pashkëve, një prej festave më të rëndësishme të tyre.

Presidenti Ilir Meta ka uruar i pari të gjithë besimtarët me sa më shumë mbarësi, paqe, begati dhe lumturi.

“Në vigjilje të Pashkës së Madhe u përcjell besimtarëve të krishterë katolikë e ungjillorë dhe të gjithë popullit shqiptar urimet më të përzemërta, për sa më shumë mbarësi, paqe, begati dhe lumturi në çdo familje! Ngjallja e Krishtit, që kremtojmë së bashku, shpall fitoren e jetës mbi vdekjen, të dashurisë mbi urrejtjen dhe të shpresës mbi dëshpërimin.

Festa frymëzuese e Pashkës na fton për të mos harruar sakrificat e Krishtit për ne, për të dëshmuar me vepra shembullin e jetës së Tij, çdo ditë, duke qenë në shërbim dhe me përulësi pranë njerëzve në nevojë dhe për të mbajtur pranë zemrave tona këdo që vuan. Misioni i Krishtit ishte të na mësojë dhe të na tregojë rrugën e dashurisë ngadhënjyese, për të mos u dorëzuar tek materializmi dhe konsumizmi.  Le të shërbejë ky shembull për të gjithë ne! Për të ndërtuar një Shqipëri më të dashur dhe më të dhembshur, ku të ekzistojnë të gjitha hapësirat për një të ardhme të sigurt. Në këtë mënyrë do të ndalim shpopullimin dhe në veçanti largimin e të rinjve. Sonte është koha për t’u gëzuar dhe për të falënderuar Zotin duke shpallur: KRISHTI U NGJALL! ME TË VËRTETË U NGJALL! NGA MOT GËZUAR PASHKËN!”, shkruan ai në Facebook.

Edhe kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla ka uruar besimtarët katolikë me rastin e Pashkëve, duke u shprehur që në vend të urrejtjes të lulëzojë harmonia e në vend të dëshpërimit, shpresa.

“Festa e Pashkëve është një festival besimi e lumturie për të gjithë besimtarët katolikë. Gëzimi i kësaj feste na frymëzon të besojmë e punojmë  që atje ku ka urrejtje, të lulëzojë harmonia; atje ku ka errësirë, të ndriçojë drita. Atje ku ka dëshpërim, të lindë shpresa; atje ku ka vuajtje, të lehtësojmë dhimbjen; atje ku ka varfëri, të krijojmë mirëqenie. Gëzuar Pashkët!”, shkruan Nikolla.

Kurse kryeministri Edi Rama përmes një postimi e konsideron vigjiljen e Pashkëve, vigjilje të rilindjes së jetës, dashurisë dhe shpresës.

“FJALËT E MUAJIT Vigjilja e Pashkëve është vigjilja e rilindjes së jetës, dashurisë dhe shpresës”, shkruan ai në Facebook.

Eddhe kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi ka uruar çdo familje shqiptare që feston Pashkët.

“Pashkë të bekuara dhe të gëzuara për çdo familje shqiptare! Krishti i Ringjallur është siguri se shpresa nuk vdes kurrë, se gjithmonë mund të rinisim, e me dashuri në zemër mund të krijojmë një botë e të ardhme më të mire”, shkruan Rama.

Top Channel