Profesor Përparim Kalo thotë se në Shqipëri korrupsioni ka prekur dhe vetë luftën që po bëhet kundër korrupsionit.

Në një intervistë për “Top Talk”, antropologu shprehet se niveli më i lartë i korrupsionit është kur korruptohet lufta kundër korrupsionit dhe një “fenomen” i tillë po ndodh aktualisht në vend.

Besoj në nevojën dhe domosdoshmërinë e një reforme në drejtësi. Por kuptimi im mbi reformën, është krejt ndryshe nga ajo që i japin. Reforma në drejtësi nuk nënkupton ndryshimin e disa strukturave dhe zëvendësimin me disa struktura të tjera. Pushteti gjyqësor ishte kapur më parë në pak duar, por pas gjithë këtyre ndryshimeve nuk kemi arritur atje ku prisnim të mbërrinim. Sepse në thelbin e reformimit kanë rëndësi njerëzit. Nëse vijnë njerëz të rinj, por me të njëjtën mendësi, atëherë nuk ka reformim”.

Sipas Kabos, “ata që bëjnë reformën në drejtësi, nuk besojnë as vetë në nevojën e ndryshimit dhe nuk e lidhin ndryshimin me interesat e atdheut.

“Nëse në sistemin e drejtësisë nuk ka një virtyt moral, atëherë virtyti profesional nuk jep garanci. Dhe kjo po ndodh. Është shkelur me këmbë virtyti moral dhe nxirret si masë mbrojtëse virtyti profesional. Ka një djallëzi të brendshme që vjen nga një histori e gjatë e të shkuarës, kur në masë të gjerë njerëzit bëjnë sikur ndryshojnë, por nuk ndryshojnë. Sepse vetë ndryshimi kërkon një përballje me një moral të pastër dhe me sfida. Nëse këto gjëra nuk janë pjesë e karakterit të individit apo të shoqërisë, atëherë ecet si gaforrja. Bëhet sikur ecet përpara, por në fakt ecet prapa apo anash”.

Edhe në institucionet shtetërore, sipas antropologut, po bëhet gjoja sikur po luftohet korrupsioni, “por qofshin ata që dalin si të pastër, qofshin ata që kanë në dorë të provojnë pastërtinë apo pastërtinë e dikujt që i nënshtrohen një vetting-u lënë shkas të kuptojmë që nuk janë të ndershëm në statusin që kanë”.

Koha po ikën dhe rezultatet janë minimale, shton Kabo.

Top Channel