Emrat/ Morën peng një person në Tiranë, në pranga dy autorët, në kërkim bashkëpunëtori

15/04/2022 17:26
Foto ilustruese

Tre persona morën peng një 31-vjeçar këtë të premte në Kashar për shkak të një borxhi.

Dy autorët që morën peng një person në Tiranë kanë rënë në prangat e policisë, ndërsa është shpallur në kërkim bashkëpunëtori i tyre.

Në pranga ranë Shkëlqim Koçeku, 37 vjeç, i cili theu masën “Arrest në shtëpi”, Denalda Çezma, 37 vjeçe, banuese në Tiranë, ndërsa Sulltan Piraci, 30 vjeç, banues në Paskuqan, arriti t’ia mbathte dhe është shpallur në kërkim.

Pas hetimeve, rezulton se  Piraci, në bashkëpunim me Koçekun  dhe Çezmën morën peng dhe më pas dhunuan fizikisht në banesën e gruas  Ermil Sorrën, 31 vjeç, pasi ky i kishte marrë borxh një shumë parash 37- vjeçares dhe nuk ia kthente.

Tiranë

Finalizohet me sukses operacioni policor i koduar “Hostage”. Operacioni, i zhvilluar nga Komisariati i Policisë Nr. 6. Morën peng një shtetas dhe e dhunuan fizikisht atë, falë veprimeve të shpejta dhe profesionale, identifikohen dhe vihen në pranga 2 autorët, shpallet në kërkim bashkëpunëtori i tyre.  Njëri nga të arrestuarit kishte shkelur masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”.  Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, pas marrjes së njoftimit se në Kashar, disa persona të paidentifikuar, kishin marrë peng një shtetas, kanë organizuar punën dhe kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Hostage”, në kuadër të të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve: – Sh. K., 37 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Heqja e paligjshme e lirisë” duke përdorur torturën, kryer në bashkëpunim dhe “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”; -D. Ç., 37 vjeçe, banuese në Tiranë, për veprën penale “Heqja e paligjshme e lirisë” duke përdorur torturën, kryer në bashkëpunim. Gjithashtu, u bë shpallja në kërkim e bashkëpunëtorit të tyre, shtetasit S. P., 30 vjeç, banues në Paskuqan, për veprën penale “Heqja e paligjshme e lirisë” duke përdorur torturën, kryer në bashkëpunim.  Falë punës dhe veprimeve të shpejta profesionale, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 6 kanë bërë të mundur identifikimin e autorëve të dyshuar dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes. Nga veprimet hetimore të kryera, ka rezultuar se shtetasi S. P., në bashkëpunim me shtetasin Sh. K. dhe shtetasen D. Ç., kanë marrë peng dhe më pas e kanë dhunuar fizikisht në banesën e shtetases D. Ç., shtetasin E. S., 31 vjeç, për shkak të një borxhi.  Gjatë veprimeve hetimore ka rezultuar se shtetasi Sh. K., kishte shkelur masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, të caktuar nga Gjykata, për veprën penale “Armëmbajtja pa leje”.  Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme.

Top Channel