Lefter Koka: Mbahem në burg në kundërshtim me ligjin, edhe nëse rri në shtëpi do të deklaroj sa herë të më thërrisni

15/04/2022 14:02

Ka përfunduar pyetja në SPAK e ish ministrit Lefter Koka për inceneratorin e Fierit pasi akuzohet për shpërdorim detyre.

Duke justifikuar veten, ish ministri kërkoi që të ketë zbutje të masës së sigurisë dhe të lihet në “arrest shtëpie” ndersa theksoi se është i gatshëm të dëshmojë në çdo moment.

Unë po rri në burg në kundërshtim me ligjin, nuk jam i rrezikshëm dhe nëse do isha në arrest shtëpie, do bëja një mbrojtje efektive. Jam i gatshëm të deklaroj sa herë të më thërrisni”, tha Koka.

Në dëshminë e tij para SPAK, Koka mohoi akuzat për shpërdorim detyre duke thënë:

“Kam zbatuar ligjin. Kam ngritur Komisione në përputhje me ligjin. Kryeni ekspertim nëse ka punime ose jo. Nuk i njoh fare kompanitë që përmendni”, ka thënë Koka.

I pyetur përse nuk është botuar në një revistë ndërkombëtare njoftimi për tenderin, Koka tha: “Nuk ankimohet ligji për prokurimin publik në këtë rast, por aplikohet VKM për koncesionet dhe PPP, i cili thotë që bëhet njoftimi elektronik në sistemin elektronik të aplikacionit.”

Sa i përket akuzave për falsifikim firme për dokumentat e tenderit, Koka tha se “S’është firma ime”.

“S’kam dijeni, nuk mund ta di unë nëse ka falsifikim. Edhe vetë prokurorisë ju desh të kryejë ekspertim.”

Ndërsa për shpronësimin e tokës, përse e kanë kthyer nga tokë truall nga tokë arë, Koka u përgjigj:

“Është trajtuar si tokë arë dhe jo tokë truall, se nëse do ishte trajtuar si truall, cmimi do ishte 6 herë më i lartë. Për më tepër, ajo tokë kur doli leja e ndërtimit u shndërrua nga tokë arë në tokë truall.”

Për lidhjen me kompanitë e faturave, Koka tha: “Nuk i njoh, nuk kam asnjë lidhje dhe për vlerat që pretendohet që kam shkuar tek Sucra Alba, është kompani e vëllait i cili ndërroi jetë para pak kohësh, nuk kam lidhje. Ka 12 vjet që s’kam asnjë lidhje me këtë kompani.

Që në orën 10:00 të ditës së sotme është marrë në pyetje për  procedurat e dhënies së koncesionit për inceneratorin e Fierit, pasi Lefter Koka dyshohet se ka përfituar rreth 1,2 milionë euro ryshfet për ndërtimin e inceneratorit.

Koka akuzohet gjithashtu edhe për falsifikim dokumentesh. Ditën e djeshme, për mbi dy orë, ish-deputeti socialist Alqi Bllako u pyet nga SPAK për procedurën e dhënies me koncension të inceneratorit të Fierit, një çështje që i kushtoi atij jo vetëm mandatin, por edhe lirinë.

Top Channel