Speci që “djeg” fermerët/ Dështojnë me prodhimin për shkak të farave jashtë standardit

14/04/2022 19:51

Fermerët nga fshati Çiflig i Dimalit këtë vit do të prodhojnë më pak speca.

Syrja Fetahu, 8 vite më parë u kthye nga emigrimi për të ngritur 8 dynym sera. Edhe kësaj here në të gjithë sipërfaqen e serës ai mbolli i speca, por ndërkohë që priste prodhimin fidanët e specave të varietetit manxhare rezultuan me problem.

Fara e specit manxhares ka dal me probleme. Ja kjo është fare e mirë, ndërsa tjetra e keqe, nuk ka asnjë farë brenda. Gjysma ka dal e mirë dhe gjysma e keqe. Edhe pse është i njëjti varietet. Vetëm këtë vit kam shpenzuar 12 mln lekë”, thotë fermeri Syrja Fetahu.

Fermerët thonë se mungesa e farës ndalon zhvillimin e frytit. Edhe sera e Elton Agalliut është mbushur me speca të vegjël dhe pa fara. Sipas tij prodhimi nuk do të shkoj në treg, por  në kanal.

Kam 7 vjet që e përdor këtë farë. Të paktën duhet të kisha bërë 3 vjelje kur ne skemi bërë asnjë, dhe ato që morëm i hodhëm pasi janë pa cilësi”, shprehet fermeri Elton Agalliu.

Një fidan speci fermeri para tre muajsh e bleu në farmacinë bujqësorë 260 lekë, vetëm nga një bimë fermerët duhet të vilnin 10 kg speca, por këtë vit ata presin që të marrin vetëm  një kilogram. Fermerët thonë se fare jo cilësore do t’i mbaj ata larg tregut, për pasojë në sezonin e ardhshëm që të kultivojnë prodhime bujqësorë në serë duhet të marrin para borxh, në te kundërt toka mbetet djerrë. Eltoni, Syrjai, dhe Edmondi para dëmshpërblimit kërkojnë fajtorin.

Fermerët në vend të tregut, sot janë duke kërkuar përgjigjen e pyetjes se, përse dështuan me fidanët e specave.

Këtu ku jemi momentalisht kemi 1 dynym sera, fidanin e kam blerë 269 lekë të vjetra fija. Ata zotërinjtë nuk mbajnë përgjegjësi, njëri thotë e ka klima, tjetri thotë fare e shtrydhur, tjetri ushqyesit. As ne nuk dimë çfarë t’i hedhim më”, thotë Agalliu.

Për Edmondin, kjo serë është gjithçka, pasi kjo serë është burimi i vetëm i të ardhurave:

Problemi është se speci po na del pa fara. Të na japin ndonjë lek. Se ne më këtë sezonin që vjen nuk e mbjellim dot.Nga një dynym e gjysmë kam shit 50 kg, kur të paktën duhet të kisha shitur 3 kuintal“.

Por farat dhe fidanët jashtë standardit janë një histori e përsëritur për fermerët vendas. Gjashtë muaj më parë fidanët problematikë u panë në Berat dhe Fier. Serat e fermerëve u mbushën me domate të kalbura. Ndërsa sot serat e fermerëve nga Çifliku janë të mbushura me bimët e specave që nuk japin prodhim.

Top Channel