Presidenti Jo Biden e ka vendosur luftën ndaj korrupsionit e të korruptuarve si një prioritet.

Për administratën Biden korrupsioni është kërcënim i sigurisë kombëtare amerikane.

Në funksion të çuarjes përpara të tolerancës zero me të korruptuarit në të gjitha vendet e botës presidenti Biden, propozoi për postin e drejtorit të zyrës së Koordinimit të Sanksioneve në Departamentin Amerikan të Shtetit James C. O’Brien.

Një javë më parë senati amerikan e konfirmoi kandidaturën e propozuar të James C. O’Brien.

Paraditja e kësaj të hëne e gjeti O’Brien në marrjen e detyrës të cilën e komentoi sekretari amerikan i shtetit Antony Blinken:

Jim do të luaj një rrol të rëndësishëm në formësimin e politikave tona të sanksioneve,  në promovimin e llogaridhënies, për korrupsionin dhe të drejtat e njeriut që abuzohen,  përfshi aktivitetet penguese e kërcënuese të sigurisë kombëtare”.

James C. O’Brien kur doli përpara senatit amerikan në 12 Janar 2022 shpjegoi efektivitetin e sanksioneve:

Unë e kuptoj sesa të rëndësishme janë për ne sanksionet. Unë e kuptoj se është e qenësishme që ne të përforcojmë politikën e sanksioneve për t’i zbatuar ato plotësisht. Administrata jonë ka identifikuar njerëzit që do të jenë edhe në vijim objekt i sanksioneve. Së pari, sanksionet janë pjesë e strategjisë sonë.  Ato janë mjete shumë të fuqishme dhe përdorimi ose kërcënimi nëpërmjet tyre është jashtëzakonisht efektiv në mbështetje të një strategjie koherente”.

Marrja e kësaj detyre nga O’Brien është një tjetër lajm i keq pas atyre të ditëve të fundit për ish kryeministrat,  politikanët, prokurorët e bizneset e korruptuara në Ballkan.

Sepse James C. O’Brien është një njohës i mirë i zhvillimeve në rajonin tonë.

Ai ka shërbyer si i dërguari special i presidentit për Ballkanin ku është përfshirë në aspektet diplomatike, ekonomike dhe politikat e sigurisë.

James C. O’Brien në kapacitetet e këshilltarit të ish sekretares amerikane të shtetit Madeleine Albright,  është hartuesi marrëveshjes së Dejtonit që i dha fund luftës në Bosnjë .

Megjithëse dy muajt e fundit fjala Sanksione për SHBA i referohet Rusisë, paralelisht me këtë siç ndodhi ditët e fundit,  nuk janë lënë jashtë vëmendjes e përfshirjes sanksionimi të korruptuarve në Ballkan, mes tyre nga Shqipëria ish deputeti Aqif Rakipi dhe pronari RTV Ora News Ylli Ndroqi.

Top Channel